Një 70-vjeçar në Durrës është vënë në prangat e policisë pasi kishte fshehur në banesë një arsenal armësh. Bëhet fjalë për Sokol Bulin të cilit iu sekuestruan armë zjarri, pjesë armësh zjarri, armë gjahu, armë të ftohta dhe një sasi e konsiderueshme municioni luftarak.

Policia pati informacione për të ndërhyrë në banesën e të moshuarit dhe si rezultat i kontrolleve arriti të zbulojë arsenalin e armëve.

Kallashnikovi u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse është përdorur apo jo, për ngjarje kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.