Pas pjesëmarrjes në Këshillin e Sigurimit në OKB, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky vijoi turin e tij në një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Joe Biden.

Takimi mes dy krerëve duket se ishte shumë frytdhënës për presidentin ukrainas dhe vendin e tij. Biden u zotua se do të dislokojë në Ukrainë një municion të larmishëm ushtarak me vlerë 325 milionë dollarë.

Në arsenalin e parashikuar përfshihen raketa të mbrojtjes ajrore, municione për raketat e shumta Himar, armë antitank dhe municione artilerie, por jo raketat me rreze të gjatë ATACMS të kërkuara nga Kievi. Pas takimit me Zelenskyn, Biden tha se tanket e para M1 Abrams do të arrijnë në Ukrainë javën e ardhshme.

Ndër të tjera në takimin e mbajtur në Shtëpinë e Bardhë u fol dhe për eksportin e grurit.

“Ne kemi rënë dakord me Shtetet e Bashkuara për masa specifike për të zgjeruar eksportet e grurit nga Ukraina.”-ka deklaruar Zelenskyy.

Pas takimit me Biden, presidenti i Ukrainës u nis drejtë Kanadasë ku dhe pritet të flasë në parlamentin e këtij vendi.