Mbështetja për bujqësinë, i ka dhënë nxitje fermerëve të rrisin kapacitet e tyre prodhuese edhe në sektorin e frutikulturës.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ishte në Gjocaj të Peqinit, ku takoi fermerë të zonës që merren me frutikulturë dhe kanë ngritur masive të tëra plantacionesh me kulturat nektarinë, pjeshkë, dardhë, mollë etj, falë mbështetjes me mekanikë bujqësore, naftë pa taksa dhe masa të tjera nga Skema Kombëtare.
Në këtë takim ministrja u njoh nga afër me punën, vështirësitë dhe pasionin e fermerëve të kësaj zone për të implementuar teknologji të reja në punimet që kërkon frutikultura, me qëllim arritjen e rendimenteve më të larta me standarde dhe cilësi, duke i bërë këto prodhime mjaft të kërkuara për eksport.
Krifca shprehu angazhimin, për politika të qarta në mbështetje të fermerëve dhe sektorit bujqësor që synojnë uljen e kostove përmes mekanizimit me teknologji të përparuar dhe rritjen e prodhimit vendas sipas standardeve më të mira .
“Në Gjocaj të Peqinit, me fermerët e palodhur që merren me frutikulturë në plantacione nektarinash, pjeshkësh, dardhë, mollë, etj, të cilët po mbështeten të rinovojnë teknologjitë dhe mekanikën bujqësore”, u shpreh ministrja.
Krifca bashkëbisedoi me Servetin, një nga fermerët përfitues të një traktori me aggregate, i cili e njohu me punën, sfidat, nevojat për ndërhyrje në vaditje, pët të cilën MBZHR po adreson mbështetje në disa drejtime.
Ministrja vuri në dukje se, zhvillimi i frutikulturës sot krijon një avantazhe dhe bashkë me pikat e grumbullimit bëjnë një binom shumë të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë.
Prodhimi i pemëve frutore në vendin tonë arriti në më shumë se 317 mijë tonë në fund të vitit të kaluar, spas INSTAT.
Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, ky prodhim u rrit me 4.92 %.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë këtij viti eksportet e frutave u rritën gati 25%. Niveli më i lartë i prodhimit të pemëve frutore u arrit në qarkun e Korçës me 89.753 tonë pasuar nga qarqet Elbasan me 39.118 tonë dhe Fier me 33.774 tonë.
Falë politikave mbështetës, fermerët tashmë në të gjithë vendin e kanë kthyer në trend në rritje, kultivimin e pemëve frutore krahas mbjelljeve me vreshta, drithëra e kultura të tjera bujqësore.