Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot foto nga aktivitetet më të rëndësishme të javës.

Rama përcolli pamje nga Forumi Strategjik i Bledit, që zhvilloi punimet në Slloveni më 28 dhe 29 gusht. Kryeministri Rama mori pjesë në Panelin e Liderëve, së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Kryeministrin e Malit të Zi, Kryeministren e Serbisë, Kryeministrin e Bullgarisë, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Presidenten e Këshillit të Ministrave të Bosnje, Hercegovinës, si dhe Kryeministrin e Kroacisë.

Rama iu adresua me një fjalë panelit të Liderëve në Forumin Strategjik të Bledit, ku u shpreh se procesi integrimit duhet parë si një proces jo për të bindur Bashkimin Europian, por për të transformuar vendin tonë.

Përmes fotove, kryeministri solli aspekte nga inspektimi i punimeve për ndërtimin e 996 apartamenteve dhe infrastrukturës së re në lagjen “Rilindja”, në Spitallë të Durrësit.

I shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, kryeministri inspektoi punimet në lagjen “Rilindja”, ku sipërmarrja prestigjioze e ndërtuesit të Portit të ri Turistik të Durrësit, Mohamed Alabbar, me financimin e Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed Bin Zayed, po përfundon 996 apartamentet që do të strehojnë familje të prekura nga tërmeti në zonën e bashkisë së Durrësit.

Në takimin me banorë të Spitallës, Rama i siguroi ata se kjo zonë do të bëhet fantastike.

Gjatë kësaj jave, i ngarkuari me Punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner u prit në një takim nga kryeministrin Edi Rama, ku diskutuan partneritetin e ngushtë të vendeve tona në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht për Ukrainën, si dhe rëndësinë e mbështetjes së rinisë shqiptare.

Një moment tjetër në këtë fotoalbub zë dhe intervista e Kryeministrit Rama për kanalin publik grek “ERT News” ku u ndal te çështja “Beleri” ndërsa theksoi se “nuk mund të ketë dy drejtësi, një drejtësi për qytetarët shqiptarë me kombësi shqiptare dhe një tjetër për qytetarët shqiptarë me kombësi greke”.

Rama u shpreh se “nëse Athina do të hakmerret me Shqipërinë për çështjen “Beleri”, duke penguar procesin e anëtarësimit në BE, kjo është joevropiane dhe kjo është shumë antike”.

Kryeministri Rama vizitoi nga afër shkollën e rikonstruktuar të Hoteleri-Turizmit në Tiranë, e cila ka nisur certifikimin nga Shkolla e Lausanne, më e mira në botë për hotelerinë.

“Kjo shkollë do të mbështesë nevojat e sektorit Hoteleri-Turizëm në një kohë kur arsimi profesional po preferohet përherë e më shumë nga të rinjtë, ndërsa 80 % e studentëve punësohen që në bankat e shkollës me pagesa konkurruese për tregun. Vëmendja për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë do të jetë në fokusin tonë kryesor, sidomos sot kur Shqipëria, po përjeton një fluks të jashtëzakonshëm turistësh”, tha Rama.

Gjatë kësaj jave, kryeministri Rama inspektoi Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, një nga 17 centralet e reja të krijuara falë Partneritetit Publik Privat të sterilizimit.

I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kryeministri Rama pa nga afër ambientet e këtij spitali, ndërsa u informua nga mjekët mbi përfitimet që garanton procesi i sterilizimit. Rama theksoi se “kjo garantuar një standard krejt të ri sigurie për ndërhyrjet operatore, duke e kthyer njëherë e mirë faqen e turpit e të pasigurisë në sallat e operacioneve, duke ulur në minimum fenomenin e vjetër të infeksioneve post-operatore si pasojë e mungesës së sterilizimit të vërtetë, si edhe duke i kursyer shtetit dhjetëra miliona euro nga ulja e ditëve të qëndrimit në spitale pas operacioneve”.

Të premten kryeministri Rama priti ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly në kuadër të vizitës zyrtare që kryediplomatja kanadeze zhvilloi sot në vendin tonë.

“Kënaqësi të mikprisja sot Ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly”,u shpreh Rama. Ndërkohë vizita e ministres së Jashtme kanadeze në Shqipëri vjen si pjesë e turit të saj në Evropë, që përfshin Slloveninë, Maqedoninë e Veriut dhe vendin tonë.