Deputeti Dash Sula ka ironizuar kreun e PD pas ndryshimeve të statutit që u miratuan sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Në një postim në Facebook, Sula ironizon Lulzim Bashën duke thënë se gjithë këto vite paskan qenë lodhur kot për ta bërë kryeministër, pasi kreu i PD paska dashur vetëm që të bëhet kreu i grupit.

Sula thotë se Basha kërkon kufizim të mandatit qeverisë së kryeministrit, por ndërkohë këtë praktikë nuk e nis nga drejtimi i partisë, që sipas ndryshimeve nuk ka asnjë pikë që e detyron kryetarin që të japë dorëheqjen edhe nëse humb zgjedhjet.

“Prandaj s’paska ardhur PD ne pushtet sepse ish-kryetari paska dashur të bëhet kryetar grupi. Ndarja nga e kaluara dhe demokratizimi i partisë domethënë paska qenë përqendrimi i pushteteve te një individ?! Asnjëherë nuk e humb mundësinë për t’u bërë qesharak sa herë që del në publik.

Ne paskemi qenë lodhur kot për ta bërë kryeministër, ai dashka vetëm Kryetar Grupi. Si ka mundësi që i vetëshpalluri lider perëndimor kërkon kufizim te mandatit te kreut të qeverisë por këtë praktik nuk e nis nga kryetari i partisë, madje e shmang nga çdo përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve.

Mbi një vit i shkëputur nga politika aktive duket se e paska shpenzuar për relaksim të thellë dhe kurrsesi për PD dhe demokratët”, shkruan Sula.