Gazeta prestigjioze gjermane, “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” në një shkrim të gazetarit Michael Martens ka shpërfaqur lojërat e Serbisë ndër vite, duke i ndërlidhur me rastin e fundit të Banjskës ku një grup i armatosur e uniformuar serbësh vranë policin e Kosovës, Afrim Bunjaku.

Duke nisur me ato që i ka quajtur lojëra cinike, gazetari Michael Martensi ka shkruar fillimisht për nisjen e luftërave në Jugosllavi. Ka thënë se në kohën e Jugosllavisë, në kohën kur nisën vrasjet në Kroaci e Bosnje nga trupat e financuara dhe të dërguara nga Beogradi, presidenti i asaj kohe, Sllobodan Millosheviq, pretendonte se s’kishte të bënte asgjë me to. Millosheviqi i përshkruante luftërat si “konflikte mes serbëve lokalë të Kroacisë e Bosnjes me Qeveritë në Zagreb e Sarajevë”.

“Ishte rrenë ashiqare”, ka shkruar FAZ-i.

Shkrimi vazhdon duke thënë se edhe presidenti aktual rus, Vladimir Putin, me sukses ia kopjoi metodën Millosheviqit për ta aneksuar Krimenë më 2014. Trupat ruse u dërguan pa emblema në uniforma. “Zyrtarisht, Kremlini thoshte se s’ka të bëjë asgjë me këta trupa, e sot kur kjo rrenë e vjetër më s’është e nevojshme, Moska mburret se si ushtarët e saj të vegjël pushtuan Krimenë. Rrenat e djeshme janë bërë akte heroike sot”, ka shtuar FAZ-i.

“Diçka e ngjashme po ndodh edhe në Ballkan ndër vite. Përderisa ende nuk është krejtësisht e qartë nëse gjakderdhja e fundit ishte provokim nga Beogradi që u doli nga kontrolli dhe se cili ishte qëllimi i aksionit, një gjë është e sigurt: Qytetarët e zakonshëm në veri të Kosovës nuk posedojnë vetura të blinduara a granata dore. Grupi i armatosur që vrau policin dhe më pas u strehua në Manastir, është pjesë e strategjisë së pajisur dhe mbështetur nga Beogradi”, shkruhet më tej në artikull.

Martens ka thënë se përderisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehet se nuk di asgjë për të, “duhet të jesh shumë naiv t’i besosh”.

“Sepse edhe nëse ai mund të mos ketë informata për aksionin specifik, strategjia e armatimit të paramilitarëve është e tij. Ai e mban mend këtë nga të ’90-at. Vuçiqi ka përdorur metodën e mësuesve të tij, Millosheviqit dhe Putinit: Dhuna promovohet sistematikisht, por u jepet nënkontraktorëve. Në të njëjtën kohë, në skenën evropiane vepron si i shqetësuar dhe pretendon se është i gatshëm të përfshihet në biseda e negociata”, ka shkruar Martensi për Vuçiqin.

Sipas FAZ-it, “gatishmëria” e Vuçiqit është vetëm “perde tymi”. Ai ka thënë se krejt është strategji e presidentit të Serbisë që të humbë kohë, ndërsa qëllimi është të kontrollojë territor si dhe të mbahet shpresa se Trumpi do të kthehet në SHBA.

“Në prapavijë, politikanët perëndimorë që i besuan rrenave të Millosheviqit para 30 vjetësh, duken qesharakë, më së paku. Politikanët që sot besojnë ose pretendojnë të besojnë se Vuçiqi është njeri që i besohet fjala, mund të gjykohen njëjtë pas dhjetë vjetësh. A duan të jenë pjesë e historisë si tjetër gjeneratë budallenjsh naivë perëndimorë, të mashtruar nga një president tejet inteligjent serb që luan lojën shumë më shpejt dhe më mirë se ata?

Beogradi po luan lojë cinike në Kosovë. Është koha të shpërfaqet kjo lojë. Jo vetëm në retrospektivë, kur bëhet vonë, siç ishte rasti i Millosheviqit dhe Putinit, por tash. Deformimi i fakteve është loja e Vuçiqit. Askush nuk e detyron BE-në apo Berlinin të luajnë së bashku”, ka shtuar FAZ-i.

Siç ka shkruar ndaras në Twitter Martensi, tash janë dy ide që mund të funksionojnë. E para për hetim ndërkombëtar mbi Serbinë dhe që të ngrihen negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Përpos kësaj, sipas tij, dialogu është proces i vdekur dhe se ndërmjetësit e dijnë.