Kryeministri Edi Rama dënoi sot sulmin ndaj rezidencës “Vila 31 x Art Explora”, ndërsa iu kërkoi ndjesë artistëve ndërkombëtarë.

Kryeministri vizitoi ambientet e kësaj godine pas incidentit të ndodhur në rezidencën artistike “Vila 31 x Art Explora” në Tiranë, ku artistë ndërkombëtarë u gjendën nën një sulm me mjete shpërthyese artizanale.

Gjatë vizitës në mjediset e ish-rezidencës së diktatorit, Kryeministri bisedoi me drejtoren ekzekutive të programit të Fondacionit Art Explora, Bisej Kapo, e cila ndodhej së bashku me artistët në rezidencë gjatë kohës së sulmit nga protestuesit.

Rama vlerësoi se fondacioni “Art Explora”, është një ndër fondacionet më prestigjiozë në botë për programet e artistëve në rezidencë.

“Prej disa kohësh kjo rezidencë e diktatorit dikur, është kthyer në një rezidencë artistësh që vijnë nga gjthë bota këtu në Tiranë, në një destinacion që jep vlerë dhe e bën të çmuar Tiranën dhe Shqipërinë edhe në këtë drejtim dhe erdha për t’u takuar me artistët dhe për t’iu shprehur atyre të gjithë ndjenjën time të keqardhjes, për t’iu kërkuar falje për atë çka ndodhi mbrëmë kur u gjendën nën një sulm bombash artizanale, që largqoftë, mund të kishin sjellë edhe tragjedi këtu dhe ata janë të traumatizuar, nuk janë në gjendje të flasin për publikun”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo që ka ndodhur është një turp shumë i madh. Është një dëm shumë i madh, është një plagë e hapur në atë që është fytyra e Shqipërisë së re dhe të cilën e përfaqëson dhe kjo rezidencë, të cilën e mishërojnë dhe këta djem dhe këto vajza të talentuara që vijnë nga të katër anët e botës, këtu”.

Rama theksoi se “Shqipëria e hapur nuk mund të mbyllet dhe këto kërcitje thjesht dhe vetëm e çojnë ujin totalisht në mullirin e së shkuarës dhe nuk kanë të bëjnë fare me të ardhmen”.

“Nuk kam fjalë për të thënë për çfarë turpi është ky, por dua t’ju them të gjithë atyre që ende simpatizojnë dhe ende mbështesin barbarët e mbrëmshëm, frymëzuesit e tyre më saktë, se edhe ata që hedhin ato bombat artizanale janë ca totalisht të manipuluar. Pra, atyre që i simpatizojnë, dua t’i them që nga kjo, nga këto humbasin të tërë ata që duan të bëjnë punë, që duan të kenë turistë, që duan të zhvillojnë ekonominë e tyre të vogël, me biznesin e tyre të vogël apo që duan të rrisin qetësisht fëmijët këtu, sepse Shqipëria e hapur nuk mund të mbyllet dhe këto kërcitje thjesht dhe vetëm e çojnë ujin totalisht në mullirin e së shkuarës dhe nuk kanë të bëjnë fare me të ardhmen”, tha Rama.

Nga ana e saj, Kapo u shpreh se gjatë gjithë ditës dje këtë rezidencë e kanë vizituar rreth 100 persona.

“Vetëm kur dëgjojmë shpërthimet. Ne ishim vetëm sipër, pikërisht tek ai ballkon që e pa gjithë Shqipëria që u duk sikur morëm flakë faktikisht. Dhe në moment artistët u futën në korridorin që është më i mbrojturi, morën fikëset e zjarrit dhe u munduan që të mos na ndodhte ndonjë gjë, sepse vila në vetvete është e gjitha prej druri. Zyra është e gjitha dru dhe mund të kishte përshkallëzuar e gjithë situata në një fraksion sekondi. Për mua fakti që nuk e dinin që është rezidenca e arteve, nuk është fare shfajësim, madje më duket e turpshme që ta përdorësh si një element që padija të justifikojë veprimin”, tha Kapo.

Në këtë drejtim, Rama u shpreh se “nuk është padija, por është marrëzia, është ligësia, është verbëria, është një kompleks gjërash dhe mbi të gjitha është urrejtja, një turp i pashoq që nxin Shqipërinë, që na nxin të gjithëve, pavarësisht se ata që e bënë janë katran i Shqipërisë dhe janë fatmirësisht një grusht njerëzish”.