Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur procedimin penal ndaj katër punonjësve të Policisë së Shtetit, në kuadër të hetimeve për ndërtimin e një objekti 5-katësh pa leje në Himarë, i cili u shemb nga IKMT.
Sipas njoftimit të AMP-së, hetimet kanë zbardhur përfshirjen e zinxhirit komandues të strukturave policore të Komisariatit të Himarës.
Katër efektivët po procedohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në mesin e personave nën hetim janë Emiljano Prenga, ish-Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Himarës, aktualisht me detyrë në Komisariatin e Divjakës, dhe Klodian Petani, ish-Specialist i Hetimit të Krimeve në Himarë, aktualisht në Komisariatin e Vlorës. Të dy janë ndaluar.
Në kërkim ishte shpallur edhe Ferit Merkaj, ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë dhe aktualisht Shef i Seksionit të Trafiqeve në DVP Vlorë, si dhe Redin Çaushaj, me detyrë SPZ në Komisariatin e Himarës.
AMP bën me dije se dy prej punonjësve të shpallur në kërkim janë paraqitur dhe janë ndaluar me iniciativë. Ndërkohë, dy të tjerët nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe, pavarësisht njoftimeve, nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse.
Për ta janë kryer procedurat për shpalljen në kërkim.
Hetimet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e përgjegjësive ligjore të personave të përfshirë.










