Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilëson Tiranën si shembull suksesi për integrimin e komunitetit rom dhe atij egjiptian.
Kjo deklaratë e tij u bë në konferencën “Për më shumë edukim dhe mundësi punësimi për komunitetin Rom dhe Egjiptian në Shqipëri”, ku u prezantua projekti i Bashkimit Europian, në bashkëpunim me Fondacionin ‘Soros’, për integrimin dhe punësimin e romëve në Elbasan, Vlorë dhe Shkodër.
“Në Tiranë dikur ishte trend të shisje në rrugë dhe cepa kryqëzimesh. Ndërkohë, sot trendi në Tiranë është që shitet në tregje: kemi dy tregje, tregun te ‘Mihal Duri’, te Pallati me Shigjeta, dhe tregu në Shkozë. Për të gjithë vëllezërit dhe motrat tona rom dhe egjiptianë, e bën Shqipërinë një vend ku shohim të ardhmen, dhe jo një vend tranzit nga ku duhet të shkojnë në një vend tjetër. Tirana është një histori suksesi, e cila besoj se do të përqafohet si koncept edhe në Elbasan, në Shkodër dhe në Vlorë, me tre super kryetarët e bashkive aty”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku vlerësoi projektin dhe të gjitha nismat e tjera të BE-së, të cilat sipas tij, kanë përmirësuar shumë fusha të jetës në vendin tonë.
“Ndonjëherë është shumë e rëndësishme të mos bëhemi cinikë. E kuptoj se sporti më i madh në vend është të jesh cinik, dyshues dhe të mendosh se pas çdo fije bari ka gjithmonë një konspiracion. Kjo është një mundësi për tre bashki, që jepet bujarisht, prandaj duhet t’i shohim gjërat për atë që janë. Ky është një vullnet i mirë i Bashkimit Europian, duke sjellë shembullin e Tiranës”, tha Veliaj.
Projekti “Inclusive EduJobs” qëllim kryesor ka të rrisë përfshirjen e burrave dhe grave, vajzave dhe djemve, nga komunitetet Rom dhe Egjiptian në Shqipëri, me fokus punësimin dhe arsimimin e tyre.