Kryeministrja Giorgia Meloni tha të premten se ajo ftoi Presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen për të parë nga afër seriozitetin e situatës në Lampedusa, ishullin e vogël mesdhetar italian të mbingarkuar me emigrantë.
Meloni tha se shpreson që von der Leyen do t’i bashkohet asaj dhe do të përshpejtojë vendosjen e burimeve të BE-së të premtuara në Tunizi në këmbim të bllokimit të largimeve të emigrantëve nga ai vend.
“Presidentja von der Leyen ka qenë gjithmonë shumë bashkëpunuese. Nuk dyshoj se do të jetë e tillë edhe këtë herë”, tha Meloni në një video-mesazh të shpërndarë nga zyra e saj.
Një zëdhënës i BE-së nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Mbërritja e varkave të mbushura me emigrantë në Lampedusa e ka bërë situatën atje pothuajse të pamenaxhueshme, me qendrat e pritjes të mbipopulluara dhe momente tensionesh mes emigrantëve dhe policisë, raportojnë mediat e huaja.
Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, tha se situata në Lampedusa është kritike dhe këmbënguli se sigurimi i ndihmës adekuate për më të rrezikuarit duhet të jetë një prioritet.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Italisë, rreth 126,000 emigrantë arritën në Itali përmes detit në vitin 2023 që nga kjo javë, gati dyfishi i numrit nga e njëjta kohë e vitit të kaluar.
Fluksi rekord i emigrantëve po shton presionin mbi qeverinë e krahut të djathtë të kryesuar nga Meloni, e cila e bëri luftën kundër imigracionit të paligjshëm një pikë kyçe të platformës së saj të fushatës.
Në këtë sfond, Meloni tha gjithashtu se qeveria e saj do të miratojë “masa të jashtëzakonshme” të hënën për trajtimin e emigrantëve të paligjshëm në tokën italiane, të cilët nuk kualifikohen për statusin e refugjatit.
Roma do të mbajë deri në 18 muaj ata që hyjnë ilegalisht në vend në qendra specifike ku mbahen emigrantët e paligjshëm përpara se të riatdhesohen. Tani, ato mund të mbahen deri në 12 muaj. Për ata që kualifikohen për statusin e refugjatit, kohëzgjatja maksimale do të jetë 12 muaj.
Mleloni shtoi se qeveria e saj po ndërton qendra të reja pritëse për emigrantët dhe refugjatët sepse ato ekzistuese janë të pamjaftueshme. Të rejat do të ndërtohen në zona me popullsi me densitet të ulët dhe do të ruhen siç duhet për të siguruar që emigrantët të qëndrojnë atje derisa të vendoset nëse ata mund të qëndrojnë në Itali ose duhet të dëbohen.
Përveç kësaj, ajo tha se do t’u kërkojë partnerëve të saj evropianë në Këshillin e ardhshëm të BE-së në tetor “të nisin menjëherë” një mision evropian në Mesdhe për të bllokuar largimet e emigrantëve nga Afrika veriore. Ajo gjithashtu dërgoi një mesazh për emigrantët që duan të tentojnë të kalojnë në Itali.
“Nuk ia vlen ti besosh jetën tënde trafikantëve të qenieve njerëzore, sepse ata të kërkojnë shumë para dhe të hipin në varka që nuk janë të pajisura për të bërë ato udhëtime. Në çdo rast, nëse hyni ilegalisht, do të mbaheni dhe do të ktheheni. Situata jonë nuk na lejon të bëjmë ndryshe”, tha Meloni.