Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, është shprehur se situata brenda opozitës nuk është aspak e mirë, por sipas saj, PS është e gatshme të përballet në çdo kohë me ta.
Komentet Spiropali i bëri gjatë një interviste në News 24, ku tha se kryedemokrati Lulzim Basha duket i qetë dhe i ç’lodhur dhe për të ishte e çuditshme sesi ai pretendon të garojë përballë ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ajo foli edhe për zgjedhjet e ditës së nesërme në Kukës, ku shprehu bindjen se kandidati i PS do të dalë fitues.
“Ne besojmë plotësisht që kandidati ynë do të jetë fitues dhe projekti ynë për Kukësit do të eci vetëm përpara”, tha Spiropali.
Situata e opozitës, si e shihni?
E paqartë, ne në Parlament po kemi një vështirësi për të komunikuar dhe për të ndarë kush është kush sepse grupi parlamentar duhet të ishte mbledhur dhe të kishte marrë vendime. Por, ne na takon si shumicë të çojmë para nismat tona, nuk mund të mbetemi peng.
Nuk mund të jemi ne matematicienët që mund të zgjidhim. Për ne të gjithë deputetët janë njësoj, ne gjykojmë mbi krijimin e grupeve dhe presim që ata të na qartësojnë mbi numrin dhe partitë e tyre.
Si e keni parë aksionin e Gazment Bardhit?
Kjo çorodi midis dy njerëzve ka krijuar edhe këtë ngërç në Kuvend dhe ka privuar qytetarët nga një opozitë që mund të jetë alternativë. Kjo nuk është mirë as për ne dhe as për ta. Opozitë që ka nevojë për t’u mbledhur dhe për të vendosur. Nuk ua qajmë hallin se kemi punën tona, por jemi gati të përballemi dhe me secilën prej këtyre copëzave ose me të gjithë së bashku.
Si e shihni pozicionin e Lulzim Bashës përballë jush?
Basha i shlodhur, ka pushuar, është i qetë, habitem, e kam zili si është kaq i qetë dhe si pretendon të garojë jo vetëm përballë Berishës, por dhe si alternativë. E shoh të pashpresë situatën mes tyre. Ne vijë të kuqe kemi raportin non-grata me aleatët.