Nesër në orën 10.00 nis sesioni i ri parlamentar. Kjo seancë e parë është kryesisht ceremoniale, pasi në të nuk miratohen as ligje e as vendime, por kryetarët e grupeve parlamentare do të shfrytëzojnë nisjen e parlamentit për të theksuar çështjet që janë prioritet për secilën force politike.
I vetmi ligj i rëndësishëm që pritet të miratohet nga kuvendi këtë muaj është ligji që rikthen bastet online, 4 vite pasi qeveria Rama vendosi mbylljen e plotë të lojërave të fatit.
Por përtej kalendarit normal të punimeve të kuvendit dy reformat më të rëndësishme që duhet të miratojnë deputetët janë reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore, reforma të cilat kërkojnë konsensus mes opozitës e mazhorancës pasi miratohen me 84 vota.
Për ndryshimin e ligjeve të reformës në drejtësi para një viti është ngritur një grup punë i përbërë nga mazhoranca dhe opozita por deri tani nuk ka asnjë produkt konkret.
Për reformën zgjedhore puna ka nisur që në vitin 2022 por Komisioni i Posaçëm nuk ka prodhuar asnjë ndryshim në ligjin elektoral. Për më tepër konflikti i brendshëm në Partinë Demokratike pritet të reflektohet edhe tek puna e këtij komisioni; pasi janë dy grupime në PD, Sali Berisha dhe Gazment Bardhi të cilët nuk e pranojnë Enkelejd Alibeaj-n si bashkëkryetarin e Partisë Demokratike në këtë komision.
Ashtu siç ka ndodhur prej vjeshtës së vitit 2021 pritet që parlamenti të përfshihet në debate të reja se cili prej tre grupimeve në Partinë Demokratike, Sali Berisha, Lulzim Basha apo Gazment Bardhi duhet të përfaqësojnë PD në seancë.
Lulzim Basha vendosi dje të jetë edhe kryetar i grupit parlamentar të PD, por ky vendim ka pak gjasa të njihet nga parlamenti. Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka sqaruar disa herë se parlamenti bashkëpunon me grupet parlamentare jo me partitë, dhe u takon deputetëve të zgjedhin kryetarin e grupit.
Nëse ky arsyetim do të vazhdojë të respektohet nga Kryeparlamentarja Nikolla, atëherë kryetar i grupit parlamentar të PD mbetet Gazment Bardhi, i cili gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve.
Nga ana tjetër Sali Berisha u tërhoq nga ideja për të krijuar një grup të ri parlamentar dhe së bashku me 8 deputetë të tjerë demokratë do të mbeten të pavarur.
Në këtë situatë duket se konflikti brenda Partisë Demokratike dhe beteja se kush ka të drejtën të përfaqësojë logon e PD do të vazhdojë të prodhojë tensione në parlament.