Gjatë javës së lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u mbajt Konferenca Globale e Grave Lidere, në të cilën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte folësja kryesore. Me këtë rast, duke folur mbi temën “Avancimi i lidershipit transformues të grave për impakt të qëndrueshëm global”, presidentja Osmani theksoi se derisa përballemi gjithnjë e më shumë me sfida globale, nuk mund dhe nuk duhet të nënvlerësohet fuqia e diversitetit dhe gjithëpërfshirjes në pozita udhëheqëse.
“Në përpjekjet tona për të avancuar efikasitetin e lidershipit transformues të grave, është e domosdoshme të garantohet fuqizimi i tyre në të gjitha sferat e jetës. Kjo nënkupton ofrimin e mundësive të barabarta në arsim, punësim dhe role udhëheqëse përmes sfidimit të stereotipeve dhe paragjykimeve që vazhdojnë në shoqëritë tona”, citohet në komunikatë Osmani. Ajo ka folur për rëndësinë e nxitjes së një mjedisi që garanton dhe mundëson që të dëgjohet e vlerësohet zëri dhe idetë e tyre.
Në këtë fjalim, Osmani foli edhe për sukseset dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të grave të Kosovës, duke shpërfaqur qëndresën, guximin dhe përkushtimin e tyre për të rritur mirëqenien dhe për të fuqizuar shoqërinë në përgjithësi.
“Presidentja Osmani theksoi se promovimi i lidershipit transformues për ndikim pozitiv global nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri dhe së është përgjegjësia jonë kolektive t’i ushqejmë këto cilësi tek ne dhe tek brezat e ardhshëm, gjithnjë duke respektuar dhe avancuar barazinë gjinore”, thuhet në komunikatë.
Konferenca Globale të Grave Lidere është konferencë vjetore që organizohet nga Qendra për Zhvillim Ekonomik dhe Lidership në bashkëpunim me Amazon Watch Magazine dhe African Leadership Magazine dhe synon të mbledhë gra lidere për të diskutuar strategjitë për të adresuar nënpërfaqësimin e grave në rolet vendimmarrëse në mbarë botën.