Ian Turing dhe Gordon Moore nuk mund të kishin parashikuar kurrë, e lëre më të ndryshonin rritjen e mediave sociale, memeve, Wikipedia-s ose sulmeve kibernetike.
Disa dekada pas shpikjes së tyre, arkitektët e bombës atomike mund të ndalonin një luftë bërthamore, aq sa Henry Ford mund të ndalonte një aksident automobilistik.
Sfida e pashmangshme e teknologjisë është që krijuesit e saj e humbasin shpejt kontrollin mbi rrugën që shpikjet e tyre marrin, pasi t’i jenë prezantuar botës.
Teknologjia ekziston në një sistem kompleks, dinamik (bota reale), ku pasojat e rendit të dytë, të tretë dhe të n-të shpërfaqen në mënyrë të paparashikueshme. Ajo që në letër duket e përsosur mund të sillet ndryshe në natyrë, veçanërisht kur kopjohet dhe përshtatet më tej në rrjedhën e poshtme.
Ajo që njerëzit në të vërtetë bëjnë me shpikjen tuaj, sado me qëllim të mirë të jetë ajo, nuk mund të garantohet kurrë. Thomas Edison shpiku gramafonin në mënyrë që njerëzit të mund të regjistronin mendimet e tyre për pasardhësit dhe për të ndihmuar të verbrit. Ai u tmerrua kur shumica e njerëzve donin të luanin muzikë. Alfred Nobel synonte që eksplozivët e tij të përdoreshin vetëm në miniera dhe ndërtime hekurudhash.
Gutenberg donte thjesht të fitonte para duke shtypur Bibla. Megjithatë, shtypshkronja e tij katalizoi Revolucionin Shkencor dhe Reformimin, dhe kështu u bë kërcënimi më i madh për Kishën Katolike, që nga themelimi i saj.
Prodhuesit e frigoriferëve nuk kishin për qëllim të krijonin një vrimë në shtresën e ozonit me klorofluorokarbonet (CFC), ashtu si krijuesit e motorëve me djegie të brendshme dhe motorët reaktivë nuk kishin menduar të shkrinin kapakët e akullit. Në fakt, entuziastët e hershëm të automobilave argumentuan fort mbi përfitimet mjedisore të tyre: motorët do të pastronin rrugët e maleve nga mbetjet e kuajve që përhapnin papastërti dhe sëmundje nëpër zonat urbane. Ata nuk kishin asnjë koncept të ngrohjes globale.
Të kuptuarit e teknologjisë, pjesërisht, ka të bëjë me përpjekjen për të kuptuar pasojat e saj të padëshiruara, për të parashikuar jo vetëm përhapjen pozitive, por edhe “efektet hakmarrëse”. Shkurt, çdo teknologji është në gjendje të shkojë keq, shpesh në mënyra që kundërshtojnë drejtpërdrejt qëllimin e saj origjinal. Mendoni për mënyrën sesi opioidet me recetë kanë krijuar varësi, ose se si përdorimi i tepërt i antibiotikëve i bën ata më pak efektivë, apo se si përhapja e satelitëve dhe mbeturinave të njohura si “mbetje hapësinore” rrezikon fluturimin në hapësirë.
Ndërsa teknologjia përhapet, më shumë njerëz mund ta përdorin atë, ta përshtasin, t’i japin formë si të duan, në zinxhirë shkakësie, përtej të kuptuarit të çdo individi. Ndërsa fuqia e mjeteve tona rritet në mënyrë eksponenciale dhe aksesi në to rritet me shpejtësi, po ashtu rriten edhe dëmet e mundshme, një labirint i shpalosur pasojash që askush nuk mund t’i parashikojë ose parandalojë plotësisht.
Një ditë dikush po shkruan ekuacione në dërrasë të zezë ose po stërmundohet me një prototip në garazh, punë në dukje të parëndësishme për botën e gjerë. Brenda pak dekadave, ajo ka prodhuar pyetje ekzistenciale për njerëzimin. Ndërsa kemi ndërtuar sisteme fuqie në rritje, ky aspekt i teknologjisë është ndjerë gjithnjë e më problematik për mua. Si të garantojmë që kjo valë e re teknologjish të bëjë më shumë mirë, sesa dëm?
Problemi i teknologjisë këtu është një problem kontrolli. Nëse ky aspekt nuk mund të eliminohet, ai mund të kufizohet. Përmbajtja është aftësia gjithëpërfshirëse për të kontrolluar, kufizuar dhe, nëse është e nevojshme, për të “mbyllur” teknologjitë në çdo fazë të zhvillimit të tyre. Do të thotë, në disa rrethana, aftësia për të ndaluar një teknologji të përhapet në radhë të parë, duke kontrolluar valën e pasojave të padëshiruara (si të mira ashtu edhe të këqija).
Sa më e fuqishme të jetë një teknologji, aq më e rrënjosur është në çdo aspekt të jetës dhe shoqërisë. Kështu, problemet e teknologjisë kanë një tendencë për t’u përshkallëzuar paralelisht me aftësitë e saj, dhe kështu nevoja për kontroll bëhet më e mprehtë me kalimin e kohës.
Ne mund të mos jemi në gjendje të kontrollojmë pikat përfundimtare të punës sonë ose efektet e saj afatgjata, por kjo nuk është arsye për të hequr dorë nga përgjegjësia. Vendimet që teknologët dhe shoqëritë marrin në burim mund të japin ende rezultate. Vetëm për shkak se pasojat janë të vështira për t’u parashikuar, nuk do të thotë që ne nuk duhet të përpiqemi. / Pjesë nga libri “Vala e ardhshme”.