Kryeadministratori Adrian Koni përfaqësoi Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara të Shqipërisë, në mbledhjen vjetore të Rrjetit Ndërinstitucional për Menaxhimin e Aseteve ne Ballkan BAMIN, zhvilluar këtë vit në Moldavi.
Ky rrjet, i cili synon të përmirësojë kapacitetet kombëtare për kapjen dhe konfiskimin e pasurive kriminale, mbështetet nga OSBE dhe GIZ. Gjatë këtyre ditëve secili nga vendet pjesmarrëse bëri prezantimin e zhvillimeve të reja në Agjencitë e vendeve të tyre, i cili u zhvillua në formë diskutimi ku pas secilit prezantim ishte sesioni i pyetjeve dhe përgjigjeve.
Pjesë e këtij sesioni prezantimesh ishte edhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, e cila u vlerësua për mënyrën e organizimit të punës, per arritjet e objektivave, si dhe për format e ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara.
“Këtë vit presidencën e BAMIN e ka Moldavia dhe Shqipëria është e angazhuar që të japë kontributin e saj në përmbushjen e detyrimeve për të përmirësuar bashkëpunimin dhe efektivitetin ndërinstitucional me gjithë rrjetin BAMIN”, thekson në një njoftim AAPSK.