Nga Mero Baze/
Të paktën tre kryetarë bashkie nga gjashtë gjithsej që ka Sali Berisha, nuk ju paraqitën atij në aktivitetin ku ai u përpoq të krijojë asamblenë e të zgjedhurve opozitarë të bashkive për ti shkëputur nga Shoqata e Kryetarëve të Bashkive.
Proporcionalisht sipas rezultatit të zgjedhjeve, shumica në pushtet qeveris rreth 2,2 milion banorë të vendit, ndërsa opozita rreth 50 mijë banorë.
Vetë qëllimi i aktivitetit është getoizimi i bashkive që ka fituar opozita, për t’i kthyer ato në bashki të dështuara, pa fonde dhe për t’i përdorur si reparte lufte kundër qeverisë.
Disa prej tyre janë të rinj dhe nuk kanë ende përvojë të keqpërdorimit nga Berisha, por dhe ata që kanë shkuar do ta kuptojnë shpejt se përpjekja e Berishës për ti përdorur si kamikazë kundër të zgjedhurve të tjerë bashkiak, është jo vetëm e padobishme, por dhe kundër objektivave të tyre për të pasur një bilancë politikë si kryebashkiak.
Ky bojkot nuk ka të bëjë aq shumë me distancën e tyre nga opozita, se sa me distancën e tyre nga axhenda e Sali Berishës. Të zgjedhur me vështirësi të mëdha, në një opozitë të përçarë për shkak të Sali Berishës, ata pothuajse i kanë fitoret si meritë të tyre personale.
Në kushtet kur ata duhet të funksionojnë si kryetarë bashkie të opozitës, ata e kanë të nevojshme dimensionin e bashkëpunimit me pushtetin qendror.
Përpjekja e Berishës për t’i “inkriminuar” ata në nisma radikale qesharake, në përçarje të shoqatës së bashkive, apo përdorimin e tyre si kamikaz për beteja të pavlera politike të tij, duket se ka hasur rezistencë.
Ky bojkot thellë thellë nuk ka të bëjë me opozitën qoftë dhe atë të Sali Berishës, por me vetë Sali Berishën. Ata që janë ulur në karrigen e kryebashkiakut të opozitës kanë kuptuar se njeriu që dëmton më shumë perspektivën e tyre politike dhe funksionimin si kryebashkiak është Sali Berisha, pasi ai kërkon ti përdor ata si kamikazë në betejat e tij të pavlera politike.
Madje për të shmangur dëshpërimin, kryetarin e Bashkisë së Kavajës e ka zgjedhur në mungesë kryetar të një shoqate fantazmë bashkish, me gjashtë anëtarë ku gjysma nuk janë prezent.
Dhe kur fitimtarët e vetëm të opozitës kuptojnë se udhëheqësi I tyre është një humbës i madh, atëherë perspektiva politike e një opozite me Sali Berishën në krye duket dhe më e errët.