Analisti Fatmir Sheholli, foli në lidhje me situatën e tensionuar në Kosovë, ku një polic ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur.
Në një intervistë për Euronews Albania, ai theksoi se sulmi që ka ndodhur në Veri është përgatitur prej kohësh, ndërsa shtoi se personat që ndodhen në Manastir flasin rusisht.
Më tej ai nënvizoi se ka informacione se 200 persona po stërviten në Serbi, dhe sipas tij mund të jenë për destabilizim të situatës në Kosovë.
“Këta njerëz kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës dhe ne në bashkërendim me KFOR, me faktorin ndërkombëtar në Kosovë, ta kryejmë këtë operacion më së miri me pasoja sa më të vogla.
Nuk dihet nëse ka dhe organizime të tjera, të cilat në rast të caktuar mund të ndodhin, Këta janë terroristë, nuk ke çfarë bisedon me ta. Serbia do të dalë në publik dhe do të thotë gjëra që jemi mësuar t’i dëgjojmë.
Ajo që ka ndodhur nuk falet. Nga ajo që po kuptojmë, thuhet se këta njerëz që janë futur brenda manastirit po flasin gjuhën ruse.
Tani duhet të kemi kujdes, nëse këta janë serbë dhe flasin gjuhën ruse apo janë të “Wagner”. Ka informacione që në Republikën e Serbisë 200 njerëz janë duke u stërvitur dhe mund të jenë për destabilizim të situatës në Veri të Kosovës” – tha ai.