Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizoi sot në Tiranë, Forumin e Ministrave të Ekonomisë me titull, “Tregu i përbashkët rajonal, një hap drejt Tregut Unik të BE”, kuadër të procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor 2023. E pranishme ishte edhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, e cila në nisje të fjalimit të saj dënoi sulmin terrorist në Kosovës ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
“Një Evropë që vë në qendër të politikave të saj njeriun, që reformohet duke e afruar gjithnjë e më shumë Ballkanin Perëndimor, është investimi më i mirë për paqen dhe sigurinë e të gjithë kontinentin tonë! Më pak se pas një viti, kur Tirana priti Samitin BE – Ballkan Perëndimor, po bëhen përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit. Por sot, unë nuk e pata aspak të lehtë të flisja qetësisht për bashkëpunimin rajonal, thelbi i së cilit qëndron tek garantimi i sigurisë dhe forcimi i marrëdhënieve të mira. Kosova është në zi. Një polic kosovar, një baba, si mijëra të tjerë që veshin uniformën e tyre çdo ditë për sigurinë e vendit, u vra në krye të detyrës, duke na kujtuar edhe një herë më shumë sakrificat e mëdha që bëhen për të siguruar dhe ruajtur paqen, por edhe nevojën e padiskutueshme që autorët e një krimi si ky, të mbajnë përgjegjësi.”-tha Bregu. Më tej, Bregu tha se Ballkani Perëndimor ka bërë përparim të rëndësishëm gjatë dy dekadave të fundit, ndërsa shtoi se konfliktet po vijojnë të pengojnë investimet dhe rritjen ekonomike.
“Bashkëpunimi transatlantik nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm, më i nevojshëm dhe më i qartë se sot, në mbrojtje të interesave të rajonit tonë, Evropës dhe mbarë botës. Si një rajon ku konkurrojnë interesat gjeopolitike dhe strategjike, Ballkani Perëndimor është një shesh i hapur për kërcënimet e sigurisë. Ballkani Perëndimor ka bërë përparim të rëndësishëm në dy dekadat e fundit, megjithatë nuk jemi aty ku donim dhe do të duhej të ishim dhe për fat të keq, konfliktet pengojnë investimet dhe rritjen ekonomike. Që të gjitha çka themi nëpër takime si këto të realizohen, ka nevojë për të balancuar urtësinë e mësimeve të së shkuarës me mundësitë e të ardhmes.”- tha Bregu.
Bregu vuri më tej theksin në zhvillimin e strategjive për t’ju përshtatur botës, e cila po ndryshon vazhdimisht dhe e ardhmja s’mund të jetë vetëm pasqyrë për të shkuarën.
“Të investosh për të ardhmen do të thotë të përqafosh ndryshimin, inovacionin dhe përparimin, adoptimin e teknologjive të reja, zhvillimin e strategjive dhe përshtatjen me një botë gjithmonë e më shumë në ndryshim. Do të thotë të kesh atë qasjen largpamëse që të dikton se bota po ndryshon vazhdimisht dhe e ardhmja s’mund të jetë vetëm pasqyrë për të shkuarën. Ndërsa po nisim një sezon intensiv takimesh të rëndësishme të nivelit të lartë BE-BP, do të na duhen më pak fjalime me fjalë të bukura dhe gjithnjë e më shumë punë konkrete, fokus në përfitimin maksimal nga qasja me tregun e BE-së, financime serioze e zbatime pa vonesa.”-tha Bregu.