Nga Mero Baze/

Sali Berisha ka filluar të shpjegojë fatkeqësitë e tij dhe opozitës me “fenomenin McGonigal”. Po përpiqet të ngrejë një mit për të, për të shpjeguar gjithë dështimet e tij. Më parë pati shpikur Soros, pastaj gjithë ambasadorët amerikanë me radhë, dhe tani duket sikur ka gjetur shpëtimtarin e ri. Marrëveshja e McGonigalit me Prokurorinë amerikane është problem i tij dhe gjykata në SHBA njeh marrëveshjet dhe gjyqet e mbyllura si një praktikë që lidhet jo vetëm me ish- zyrtarë të rëndësishëm, por dhe të tjerë që duan të bashkëpunojnë me drejtësinë. Këmbëngulja e Berishës që ky gjyq tani të transferohet në Tiranë, është debat juridik i mbyllur për palën amerikane.

Por pala shqiptare ka një precedent të tmerrshëm në këtë drejtim, për të cilin në fakt i ka borxh shoqërisë shqiptare, për shkak të Berishës. Bëhet fjalë për një gjyq në SHBA që nuk është mbyllur me marrëveshje, por është zhvilluar në seancë të hapur dhe ku dy të akuzuarit kanë bërë deri katër vite burg. Bëhet fjalë për dy biznesmenët amerikanë që fituan kontratën e blerjes së fishekëve në Gërdec, dhe ku në paketimin e tyre u përfshi me dhunë djali i Sali Berishës me bandën e tij, gjë që shkaktoi dhe vdekjen e Kosta Trebickës. Në SHBA dy biznesmenët u dënuan. Diveroli dhe partneri i tij bënë burg për atë që ndodhi në Shqipëri, dhe ekzistojnë provat që ai përflet djalin e Sali Berishës si shantazhues ndaj tij, duke e përshkruar si “sypeshkaqeni”.

Gazeta e famshme New York Times shkroi për këtë artikullin ndoshta më të gjatë të historisë së saj, me 11 autorë, dhe Sali Berisha e quajti letër higjienike. Drejtësia shqiptare e kishte detyrë të hapte krahas hetimit për shpërthimin në Gërdec, dhe hetimin për skandalin e shitjes së fishekëve kinezë në Afganistan dhe përfshirjen e dhunshme të bandës së djalit të Sali Berishës në këtë histori. Mund ta bënte këtë dhe pa u hapur çështja në SHBA. Nuk e bëri nga diktati i atëhershëm i Berishës mbi drejtësinë.

Por skandali është se çështja u hap në SHBA, ortakët në biznes të djalit të Sali Berishës u dënuan, dhe këtu akoma nuk është hapur kjo çështje. Bëhet fjalë për një çështje që nuk është mbyllur me marrëveshje në SHBA, por me gjykim të hapur dhe procedurë të rregullt. Ky precedent i McGonigalit që kërkon Sali Berisha është luks i madh, pasi është çështje e mbyllur me marrëveshje.

Por le të hapet dhe kjo nëse i duhet Berishës, por më parë duhet të hapet çështja e djalit të tij, pasi i janë dënuar ortakët në SHBA, madje janë bërë të famshëm pasi për ta është bërë dhe film, dhe libër, ku djali i Sali Berishës ka rolin e mafiozit kryesor. Tentoi ta hidhte në gjyq autorin e librit dhe filmit dhe e humbi gjyqin në dy gjykata amerikane, duke legjitimuar kështu gjithë faktet që ata kanë shkruar për të. Do të mjaftonin madje dy vendimet humbëse ndaj Shkëlzen Berishës në SHBA, për t’iu hapur gjyqi në Shqipëri. E kemi parë që ai shpesh herë përpiqet të ngatërrojë implikimin e tij tek çështja e Gërdecit ku ka demontuar fishekë, me implikimin e tij tek çështja e sekserit të fishekëve kinezë, duke i ripaketuar.

Janë dy çështje të ndryshme dhe të dyja vepra penale. Tek e para ka vrarë 26 vetë, për t’u bërë milioner me fishekët e shtetit shqiptar. Tek e dyta ka vrarë vetëm Kosta Trebickën dhe ka marrë më qafë dy biznesmenë amerikanë që kanë bërë burg, kurse vet nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Ndaj nëse ka njeri që dëmtohet tamam nga ajo çfarë kërkon Berisha për McGonigalin, është vetë Shkëlzen Berisha. Është mirë që Berisha të këmbëngulë në këtë drejtim, se ndonjëherë budallai në vend të vërë vetullat, nxjerrë sytë. Dhe SPAK-u duhet t’ia respektojë këtë dëshirë.