Rihapja e çështjes Gërdeci përmes procesit gjyqësor ndaj ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka rikthyer sytë tek tragjedia e 15 marsit 2008 e cila u mori jetën 26 personave dhe qindra të tjerë u plagosën. Familjarët e viktimave por dhe shqiptarët presin të dalin para drejtësisë i gjithë zinxhiri shtetëror dhe politikanëve të përfshirë në vendimmarrje që hodhën firmat për ngritjen e atij biznesi fitimprumës që u kthye në ‘krim shtetëror’.
Pyetja që lind është pse Gjykata Speciale nuk merr si provë procesverbalin e mbledhjes së këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur nga presidenti i atëhershëm Bamir Topi një javë pas tragjedisë?
Procesverbali mban datën 21 mars 2008 dhe ka për objekt “Analizën e ngjarjes së Gërdecit, masat e marra dhe parandalimi i krizave të tilla në të ardhmen”. Ky procesverbal gjendet lehtësisht në arkivën e Presidencës.
Në këtë mbledhje presidenti Topi kërkoi zbardhjen e fajtorëve dhe përgjegjësve me emër dhe mbimër, si dhe një hetim serioz, rigoroz dhe transparent për atë ngjarje të paprecendetë. I bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të zhvillojë hetime të pavarura nga politika dhe kërkoi që autoritetet përkatëse të marrin përgjegjësitë e veta politike dhe ligjore.
Dëshmitë e të gjithë pjesëmarrësve do të ishin mjaft të vlefshme për gjykatën dhe hetimet në fazën e procesit gjyqësor ku ndodhen momentalisht.Vite më vonë Bamir Topi pat treguar më vonë se në atë mbledhje ka pasur debat të fortë ku dukej qartë një mungesë e zbatimit të ligjit nga një pjesë e mirë e institucioneve që lidhen me informacionin dhe sigurisë. Madje, dyshohet prej kohësh që debati në atë mbledhje që shkaktoi edhe përplasje midis Fatmir Mediut dhe Shefit të Shtabit Luan Hoxha, ishte një nga shkaqet e krisjes midis Sali Berishës dhe Bamir Topit.
Kush mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare?
Në këtë mbledhje të drejtuar nga Presidenti Topi, kanë marrë pjesë anëtarët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë: Kryetarja e Kuvendit, zj. Jozefina Topalli, Kryeministri, z. Sali Berisha, ish-Ministri i Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, Ministri i Brendshëm, z. Bujar Nishani, Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, z. Sokol Olldashi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, z. Bahri Shaqiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Ahmet Prençi.
Ndërsa kanë qenë të ftuar Ministri i Shëndetësisë, z. Nard Ndoka, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, z. Leonard Demi, nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, z. Petro Koçi, Prokurorja e Përgjithshme. Znj. Ina Rama, Drejtor i SHIU-t, z. Hysni Gjergji dhe Zv/Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Agim Lala.
TV lajmëroi se në seancën e ardhshme do të kërkojë dhe dëshmitarë të tjerë.
“Vërtet ai (Shenim: Mediu) thotë që unë vetëm shkresat kam firmosur dhe është pozicion politik por shkresat e tij nxorrën armatimet nga depot që ishin. I gjithë transporti i armatimit është bërë me mjetet e ushtrisë. Unë di që aty funksiononte ministria e Mbrojtjes që kishte detyrë ta në mbronte. Ditë për ditë rrugët ishin të bllokuara me kamionët e ushtrisë. Vendi që u përzgjodh ishte i gabuar. Emri që ka marrë aksident teknologjik ishte i gabuar, se vetëm teknologji nuk kishte aty. Ka shumë emra të tjerë që janë përfshirë. Do kërkoj në seancën e radhës të dëshmojnë.” tha Durda sot në intervistën për Report Tv.