Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur për takimin e ardhshëm në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, i cili do të mbahet nesër.
Rama ka thënë se Shqipëria është plotësisht në linjën e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të realizuar planin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Më tej në shkrimin e tij në Facebook Rama ka shtuar se Shqipëria është për paqe, pajtim, ardhmëri të përbashkët, por siç shtoi ai, megjithatë, “nëse gjërat shkojnë keq, Shqipëria dhe shqiptarët janë me Kosovën, e këtë s’e luan topi”.
Shkrimi i plotë:
Sot, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel dhe unë, si gjithnjë, lutem që mos të jetë një tjetër xhiro bosh, për një tjetër përsëritje të këngës “fajin e ka tjetri”. Pavarësisht lidhjeve tona të ngushta dhe marrëdhënies unike ndoshta në botë me Kosovën, si shteti tjetër shqiptar në kufi me Shqipërinë, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi të përputhur plotësisht në linjën e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të realizuar planin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Jo sepse aleatët tanë të mëdhenj strategjikë kanë gjithnjë, medoemos, të drejtë, po sepse deri më sot ata nuk kanë qenë asnjëherë gabim në kërkesën e tyre ndaj të dyja vendeve, e së fundmi Kosovës veçanërisht.
Këtë qershor, gjatë kulmit të tensioneve në komunat veriore të Kosovës, me keqardhje, ne anuluam njëanshmërisht mbledhjen e përbashkët të dy qeverive me Kosovën, e cila ishte e planifikuar prej kohësh.
Njëqind herë të ktheheshim mbrapsht njëqind herë do ta anulonim, sepse së pari, Shqipëria është një anëtar përgjegjës i komunitetit euroatlantik edhe kur duhet të pozicionohet në raport me gabimet e veta, e jo më kur duhet të pozicionohet në raport me gabimet e Kosovës apo lëre pastaj me ato të të tjerëve.
E së dyti, sepse ai ishte momenti më i gabuar për të hedhur një valle dyshe shpatash në Prizren, në ndërkohën kur Kosova duhet të ishte në anën e të ardhmes, krah për krah me aleatët e saj strategjikë, e jo në anën e të shkuarës, prej ku ushqehen edhe teoritë helmuese të konspiracionit shqiptaromadh.
Më pas, i vetëdijshëm se ishte një lëvizje e pazakontë, iu paraqita aleatëve tanë strategjikë kontributin e Shqipërisë në diskutimet e vazhdueshme për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, sepse jam plotësisht në një mendje me ta për nevojën e zbatimit rigoroz të gjithçkaje për të cilën shteti i Kosovës është zotuar. Qeveritë vejevijnë, por shtetet serioze nuk vejevijnë në zotimet e tyre ndërkombëtare njësoj si qeveritë.
Por më duhet ta ritheksoj, se sa më lart nuk do të thotë aspak se Shqipëria e sheh Kosovën si të vetmen përgjegjëse për futjen e dialogut në qorrsokak. Assesi jo. Kosova bëri një hap të konsiderueshëm në drejtimin e shumëpritur, duke e pranuar planin franko-gjerman pa referencë për njohjen reciproke dhe duke pranuar po ashtu, propozimin e vetë-menaxhimit për komunitetin serb. E kam duartrokitur menjëherë Albin Kurtin për këtë hap edhe publikisht, jo vetëm personalisht. Tani është koha që edhe Serbia të dalë nga llogorja e absurdit të mohimit të realitetit dhe të veprojë në mirëbesim, duke mundësuar një sekuencë zbatimi që i përmbush nevojat e të dyja palëve në kuadër të planit franko-gjerman.
Shqipëria i ka shtrirë Serbisë dorën e miqësisë. Në mënyrë ironike, ka ndodhur në ndonjë rast të jemi i vetmi vend në rajon që ka folur hapur kundër sanksioneve ndaj Serbisë dhe e kemi shpjeguar qartë pse jemi të bindur në këtë qëndrim. Megjithatë, dhe kjo duhet theksuar, një përfundim i suksesshëm i procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm edhe për të ardhmen e qëndrueshme të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi.
Për fat të keq, teksa përpiqem pa sukses të kuptoj taktikat e qeverisë së Kosovës, mbetem po aq i pasuksesshëm në përpjekjen për të kuptuar strategjinë e dialogut të Serbisë. Dyshoj se strategjia e Beogradit është të vonojë procesin dhe të përfitojë sa më shumë nga taktikat vetëdëmtuese të Prishtinës, të cilat e kanë ndihmuar vijimësisht viktimizimin e Serbisë ne arenën e ndërkombëtare.
Fatkeqësisht po ashtu, disa harrojnë se nuk jemi më në vitet ‘90 të shekullit të kaluar. Shqipëria është për paqe, pajtim, ardhmëri të përbashkët dhe pikë. Por megjithatë, nëse gjërat shkojnë keq, Shqipëria dhe shqiptarët janë me Kosovën, e këtë s’e luan topi. Thënë kjo, unë me sinqeritet shpresoj që të gjithë të përfshirët në procesin e normalizimit të jenë të vetëdijshëm për atë çfarë luhet sot mes Kosovës e Serbisë dhe të kuptojnë dreqi e mori, që çdo alternativë tjetër, përveç zbatimit të menjëhershëm, gjithëpërfshirës, të marrëveshjes mbi planin franko-gjerman në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është lojë me zjarrin, ku kush luan do të digjet i pari, po akoma më keq, në fund do të përvëlohet krejt rajoni, po nuk do të shpëtojë pa u përcëlluar edhe vetë Evropa.
Përfundimi i suksesshëm i procesit të normalizimit të Kosovës e Serbisë janë parësore për paqen dhe sigurinë rajonale, po edhe për sigurinë e vetë Evropës.