Shkolla e mesme e përgjithshme “Olsi Lasko” në Durrës ofron mjedise të reja me kushte dinjitoze e bashkëkohore për mësimdhënien pas rindërtimit në kuadër të programit “EU4Schools”(BE për Shkollat), një financim i Bashkimit Europian, i cili zbatohet nga UNDP Albania.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga ambientet e reja të kësaj shkolle që këtë vit të ri mësimor hapi dyert për 775 nxënës dhe 35 mësues, të cilët do të kenë mundësinë të mësojnë e të edukohen në një ambient që s’ka asnjë ndryshim me shkollat e Europës.

Objekti i rindërtuar është një godinë 4 katëshe, përfshi edhe një palestër të mbyllur, sistem qendror ngrohje-ftohje, por edhe sistem ndriçimi me efiçencë energjetike.

Në bashkisë Durrës janë 37 objekte arsimore në programin e rindërtimit, 20 prej të cilave kanë përfunduar dhe 17 të tjera janë në proces ku një pjesë e tyre parashikohet të përfundojnë brenda këtij viti.

Deri tani në kontekstin e “EU4Schools” kanë përfunduar 44 objekte arsimore, ndërsa 16 objekte të tjera janë aktualisht në proces rindërtimi apo riparimi.