U mblodh në Romë Komiteti i Përbashkët Ekonomik, Itali-Shqipëri.
Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë Antonio Tajani, në një konferencë të përbashkët për median me kryeministrin Edi Rama tha se “ne duam që të përfshijmë në këtë bashkëpunim të përforcuar strategjik edhe sektorin privat”.
“Për ne Shqipëria është partner strategjik në Ballkan. Siç e dini Italia e konsideron Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor, si një përparësi të politikës sonë të jashtme dhe jemi absolutisht të favorshëm për hyrjen brenda Bashkimit Europian. Komiteti i përbashkët ekonomik, Itali-Shqipëri, që sot i kemi dhënë hov me miqtë shqiptar, ramë dakord për disa linja veprimi në tre çështje të mëdha, infrastruktura, energjia dhe sektori bujqësor dhe agroushqimor”, tha Antonio Tajani.
Kryeministri Edi Rama u ndal në kontributin e dhënë nga emigrantët shqiptarë prej vitesh në zhvillimin e ekonomisë italiane dhe rëndësinë e marrëveshjes së pensioneve.
“Kemi fituar nga premtimi solem nga zëvendës kryeministri. Të gjithë shqiptarët e shumtë që jetojnë, kontribuojnë, kanë punuar dhe punojnë në Itali, më në fund do të mund të ngrenë dolli për lavdinë e Republikës italiane dhe ta falënderojnë këtë qeveri sepse kjo qeveri më në fund do ta çojë deri në fund këtë nismë shumë të rëndësishme nga pikëpamja, jo vetëm financiare, por edhe nga pikëpamja sociale dhe nga pikëpamja e respektit dhe të dinjitetit të punës së njerëzve”, tha Rama.
Ndërsa për investimet strategjike Itali-Shqipëri kryeministri Edi Rama dha këtë koment.
“Janë investime në sektorë strategjikë, janë investime në infrastrukturë, ku Italia ka luajtur një rol vendimtar. Ministri Tajani personalisht ka udhëhequr një proces të çlirimit të Korrdiorit 8 nga një bllokim shumë i gjatë. Pastaj në fushën e sistemit hekurudhor ku Italia është përfshirë në ndërtimin e hekurudhës Tiranë – Durrës, por ku ka shumë ende për të bërë. Kemi folur dhe për linjën hekurudhore jo vetëm të Korridorit 8 por dhe atë që lidh Durrësin me Prishtinën dhe Nishin dhe kështu me Europën qendrore”, u shpreh Rama.
Kemi arritur tha kryeministri Edi Rama, që të fillojmë zbërthimin e një potenciali të madh siç është eksporti i vajti të ullirit nga Shqipëria në Itali, rritur me 50 herë.