Covid nuk është zhdukur. Mjekët po vënë re shtim të të prekurve te të gjitha moshat. Tendencë që Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon të vijojë. Përgjithësisht virusi nuk po shfaqet agresiv. Shenjat ngjasojnë me ato të një viroze të stinës. Megjithëkëtë nuk kanë munguar as pacientët që kanë pasur nevojë për trajtim në spital.

“Pak të shtruar, rreth 20 shtrime, por theksojmë se nuk janë raste të rënda, nuk janë shtruar në terapi intensive, paraqiten me klinikë të lehtë dhe mesatare. Të gjitha moshat të prekura, por kryeshit rritje më e lartë vërehet mbi 50 vjeç. Ka trend rritje në qytetet e mëdha ku shpeshtësia e kontakteve është më e lartë. Rritje parashikohet dhe në javët e muajt në vijim jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë kontinentin Europian.” Për të mësuar variantin në qarkullim specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë dërguar analizat në laboratorët e referencës. Një procedurë kjo që gjatë tetorit parashikohet të kryhet në Shqipëri.

“Gjatë tetorit parashikohet të vihet në funksion sekuencatori dhe të kryhen analizat e sekuencimit në Institut. Kjo është risi e madhe shkencore për Shqipërinë në lidhje me monitorimin e situatës epidemiologjike me variantet dhe nënvariantet qarkulluese. Gjithashtu dhe për efektivitetin e vaksinës sipas varianteve në qarkullim. Momentalisht nuk janë variante problematike, po monitorohet nga OBSh dhe nuk japin klinikë të ashpër dhe janë të përfshira në vaksinën aktuale.” Koronavirusi sipas specialistëve do të qarkullojë bashkë me gripin dhe viruset e tjera të rrugëve të frymëmarrjes prandaj apeli i tyre vjen për marrjen e dozave anticovid dhe shtim të kujdesit gjatë vjeshtës dhe dimrit