Tre pushues, janë shpëtuar nga Policia Kufitare pasi rrezikuan të mbyteshin në det, në Shëngjin dhe Velipojë.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndihmuar në dy raste, tre persona që rrezikuan të mbyteshin në det për shkak të dallgëve dhe erërave të forta.
Në rastin e parë, shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur nxjerrjen në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, të 2 personave që rrezikuan të mbyteshin pasi mjetet e tyre lundruese (pedalone) ishin larguar shumë nga bregu, për shkak të erës së fortë.
Dy pedalonet u gjetën rreth 3 milje larg bregut, bashkë me 2 drejtuesit e tyre.
Në rastin e dytë, shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër ndërhynë për të shpëtuar një pushues që ishte në rrezik mbytjeje për shkak të dallgëve të larta, në plazhin e Velipojës.
Pas ndërhyrjes së shpejtë, shërbimet e Policisë e kanë nxjerrë në breg dhe i kanë dhënë ndihmën e parë.