Prej disa ditësh Sali Berisha tregon në çdo televizion që i jep hapësirë, frikën se fëmijët e tij mund të përfundojnë në burg. Berisha thotë se prej vitesh fëmijët e tij janë në shënjestrën e SPAK dhe duket i habitur me këtë gjë. Shqetësimi i tij është dhe për dhëndrrin e famshëm, Abi Berisha, mbi të cilin SPAK po heton për çështjen e klubit Partizani, një ngjarje që meriton të qartësohet në shumë drejtime. Jo vetëm nën aspektin e ligjshmërisë të procedurave të bëra nga Berisha dhe ministrat e tij mes 2005 dhe 2006, kur duke pushuar gjeneralë dhe ministra që nuk i bindeshin urdhrave të tij, ja doli të privatizojë në favor të dhëndrrit dhe të ortakëve një kompleks të tërë sportiv edhe pse ligji e ndalonte dhe se ishte në konflikt të hapur interesi.
Por mbi të gjitha, duhet sqaruar origjina e parave të investuara nga dhëndrri dhe bashkëshortja në 17 kullat e ndërtuara mbi tokat e ish-klubit Partizani që vlejnë dhjetëra milionë euro. Një shifër kolosale që ka përfunduar në xhepat e Abi Berishës dhe të gruas Argita, edhe pse në 2005 deklaronin se kishin gjendje në bankë vetëm 35.000 dollarë dhe se ishin pronarë të 0.5% të truallit. Si ja bënë vajza dhe dhëndrri i kryeministrit, pikërisht në vitet kur ai ishte në pushtet, të trasformonin ato grimca në një pasuri mbi 20 milionë euro? Dyshimi i SPAK (dhe jo vetëm i SPAK në të vërtetë) është se në ndërtimin e kullave janë pastruar para’ cash, që familja Berisha arkëtonte falë favoreve politike.
Berisha, i cili nuk ka pranuar kurrë të merret në pyetje nga asnjë prokuror për dhjetëra krime që është dyshuar, dhe as është ushtruar ndonjë proces veç atij për shpifje ndaj meje, e konsideron të pakonceptueshme që shkëlqimi i tij të ketë rënë aq poshtë sa të përfundojë si një qytetar i thjeshtë në shënjenstrën e drejtësisë. Pikërisht ai që arrestoi pa prova liderin e opozitës Fatos Nano kur ishte në detyrë dhe që për vite ka drejtuar prokurori e gjykata kundër kundërshtatëve të vet, nuk e koncepton që fëmijët e tij të mund të hetohen nga SPAK për paratë e fituara në vitet kuri ai dominonte i pashqetësuar gjithë Shqipërinë. Fatkeqësia e tij është se jo të gjithë krimet janë parashkruar pavarësisht kohës që ikën.
Po përse duhet të habitet për fatin e keq që po kërcënon fëmijet e tij? Që nga 2005 e tutje kur u kthye në pushtet, Sali Berisha nuk ka bërë kurrë asgjë për të mbajtur fëmijët, Argita dhe Shkëlzen larg nga pushteti i tij. E bija, pak muaj pas fitores së zgjedhjeve nga babai, arriti të braktisë edhe një punë prestigjoze pranë Unmik në Kosovë që i garantonte asaj dhe bashkëshortit një rrogë fantastike prej 13.500 dollarësh në muaj, për t’u kthyer në Tiranë pa pasur akoma asnjë punë. Pra, e bëri vetëm se do të fitonte më shumë. Nga ai moment e tutje emrat e tyre shfaqen në dhjetëra afera të kushtëzuara nga pushteti i babit. E bija dhe dhëndrri dalin si protagonistë në spekulimet e ndërtimit në Porto Romano të bëra në kurriz të fshatarëve të varfër, në tregtinë e energjisë elektrike me Serbinë, në menaxhimin e kapitaleve të mëdha tranzit nga shoqëri offshore, në dhjetëra tendera publikë të fituar nga ndërmarrje që ndërkohë paguanin Argitën për konsulenca ligjore.
Vëllai, Shkëlzeni, bënte garë me të për të fituar punën më fitimprurëse, gjithnjë i garantuar nga prania e babait në postin e kryeministrit që nxiste oligarkë për ta financuar, banka për t’i dhënë kredi të paimagjinueshme për një qytetar të thjeshtë, ministra dhe ushtarakë të lartë të ushtrisë që i bindeshin si shërbëtorë. Për të përfunduar pastaj i përzier në tregtinë e armëve dhe në skandalin e Gërdecit, që i kushtoi jetën dhjetëra banorëve të marrë në punë me rroga qesharake për të çmontuar municione duke rrezikuar jetën e tyre.
Përse, në vend që të skandalizohet sot se pse fëmijët e tij janë nën hetim, Sali Berisha nuk u shqetësua të bëhej baba i mirë 18 vite më parë, duke i penguar të përfitonin me pushtetin e tij për t’u pasuruar? Përse, në vend që t’i bëjë moral prokuratorëve që po hetojnë apo gazetarëve që denoncojnë mashtrimet e tij, nuk i ka mësuar moralin e ndershmërisë dhe të respektit të institucioneve fëmijëve të tij atëherë kur ishte ende në kohë për ta bërë?
Berisha nuk është një viktimë e derjtësisë, ashtu si nuk janë as fëmijët e tij. Që të katërt (pasi kjo histori përfshin dhe dhëndrrin-shërbëtor) janë viktimë të vetes së tyre, të pandershmërisë së tyre, të arrogancës së tyre dhe të një pandëshkueshmërie që zgjat prej 30 vitesh. Dhe kushedi nëse po merr fund me të vërtetë.