Ish kryedemokrati, Sali Berisha ka prezantuar një libër në anglisht, për të cilin thotë se mbart fakte të farsës elektorale të 14 majit. Ish lideri i PD e quan si libër me dukuritë më të zeza që po i ndodhin vendit.
“Paraqesim para publikut shqiptar dhe atij ndërkombëtar, librin e zi, kushtuar farsës elektorale të 14 maji 2023.
Pse libër i zi? Shqipëria sot karakterizohet nga fenomene, dukuri nga më të zezat në historinë e saj. E para dhe më e zeza është braktisja masive e këtij vendi. Mjafton të kujtojmë këtu se këtë verë vendi pati dyndjen, ndofta më të madhe turistike nga jashtë, por 60% e shqiptarëve, sipas statistikave më të besueshme nuk ishin në gjendje të pushonin 7 ditë gjatë kësaj vere”, tha ai.
Ai ka vijuar akuzat ndaj qeverisë duke thënë se po i detyron qytetarët të ikin nga vendi.
“E lidh këtë sepse një e zezë tjetër e madhe që i detyron shqiptarët të largohen është skamja, varfëria e frikshme. Shqipëria një vend në të cilin polarizimi rritet me shpejtësinë më të madhe se kudo dhe dy herë më të madhe se kudo.
Shqipëria të themi të vërtetën, nëse lexon arkivën e krimit të këtij vendi, për tragjedinë më të madhe, noton mbi krimin. Siguria e qytetarëve shqiptarë, e pronave, e veprimtarisë, jetës së tyre dhe fëmijëve të tyre, sot më shumë se kurrë varet dhe kontrollohet nga krimi”, tha ai.
Ish lideri i PD nuk ka pranuar në asnjë moment rezultatin e zgjedhjeve vendore të 14 majit, me argumentin se ato u vodhën nga mazhoranca në bashkëpunim me krimin.