Një 48-vjeçar është vënë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë vënë nën hetim nga policia, si përgjegjës për zjarret që ranë në Dorëz, Turan dhe Dhëmblan të Tepelenës, ku u dogjën sipërfaqe të madhe kullote me bimësi të egër.

Në pranga ka rënë E. Z., 48 vjeç, banues në fshatin Sinanaj, Tepelenë.

48-vjeçari fshihet pas zjarrit masiv që ra në fshatin Dorëz të Tepelenës, ku si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e madhe kullote me bimësi të egër.

Ndërsa nën hetim janë vënë edhe dy zjarrvënës të tjerë.

Sh. Z., 59 vjeç, banues në fshatin Turan, Tepelenë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Bregu i Gjodhimës”, në fshatin Turan, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër;

A. D., 50 vjeç, banues në fshatin Dhëmblan, Tepelenë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Dafina”, në fshatin Dhëmblan, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.