Këtë të shtunë në emisionin “Money” në Euronews Albania u fol për zbulimin e naftës në malin e Shpiragut dhe ndryshimet që ajo pritet të sjellë në ekonominë e vendit.

Kryeministri Rama tha më herët se nga nafta premium që Shqipëria do të prodhojë do të ndërtohet një fond sovran njësoj si në Norvegji. Ekspertë të ekonomisë, kanë treguar për “Moneëy se si funksionon një model i sukseshëm i një fondi sovran.

Ndërsa SHELL gërmoi për më shumë se një vit në pusin e pestë të bllokut që ka marrë në menaxhim, edhe qeveria nuk ka mbetur pas. Ajo ka studiuar të gjitha mundësitë për të ngritur ekonominë e vendit dhe për të menaxhuar të ardhurat që do të prodhojë nafta shqiptare premium. Ato do të jenë pjesë e një portofoli të veçuar nga paratë e buxhetit të shtetit, që do të shkojnë për pensione, arsim, shëndetësi dhe investime.

“Ne jemi në një proces pune konkrete, të konsultuar me fondin sovran të Norvegjisë, i cili ndryshe quhet fondi i pensioneve të Norvegjisë”,-tha kryeministri Rama.

Sot në botë administrohen 102 fonde sovrane. Vlera e përgjithshme e aseteve të tyre arrin në 11.8 trilionë dollarë. Vetëm Norvegjia, me një popullsi 5.4 mln banorë ka arritur të rrisë këtë fond që nga viti 1990 e deri më sot, në 1.4 trilionë dollarë. Në shtetin nordik, fondi u krijua për t’i dhënë qeverisë hapësirë për manovrim në politikën fiskale, nëse çmimet e naftës bien ose ekonomia tkurret. Ai shërbeu gjithashtu si një mjet për të menaxhuar sfidat financiare të një popullsie në plakje, e për këtë mori emrin Fondi i Pensioneve të Qeverisë së Norvegjisë.

“ Modeli i një fondi sovran të suksesshëm do të ishte modeli norvegjez. Por, kush është ndryshimi mes Shqipërisë dhe Norvegjisë. Në Norvegji, naftën e nxjerrin nga vendburimet e saj kompanitë shtetërore. Pse është e rëndësishme kjo.

Fondet sovrane, si modele financiare ndërtohen në përgjithësi me lekë ekstra fiskale. Këto para nuk janë taksa dhe në Norvegji fondi sovran krijohet me paratë e fitimit të kompanisë shtetërorë, pasi ka paguar taksat në shtetin norvegjez. Pra ka paguar taksat, të cilat shkojnë patjetër në buxhetin e shtetit, dhe më pas fitimin e grumbullon në një fond sovran, i cili përdoret më pas në bazë të legjislacionit në fuqi të shtetit norvegjez.

“Fondi sovran është i tillë që futet në një xhep, ku qeveria nuk ka të drejtë të marrë paratë, dhe këto para ri investohen me qëllim që të shumohen. Kjo është logjika e të gjitha fondeve sovrane kudo në botë.