Këtë të premte shënohet marrja e presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Vendi u kthye në krye të këtij organi ndërkombëtar të sigurisë dhe paqes për herë të dytë, pas asaj të qershorit 2022.
Përfaqësuesja amerikane në KS, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, në emër të Këshillit i ka uruar delegacionit të Shqipërisë fat të mbarë.
Ajo u shpreh se gushti ishte një muaj i ngarkuar dhe një muaj në të cilin u mblodhën për konsensus për disa çështje të rëndësishme brenda fushës sonë.
Ndërkaq, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka zbuloi gjatë një deklarate për mediat prioritetet e Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Bëhet fjalë për një platformë bashkëpunimi, që garanton shpërndarjen e ndihmave humanitare kudo në botë dhe për një aktivitet kushtuar agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës.
Sipas saj, Shqipëria ka akumuluar gjatë 20 muajve të fundit një eksperience të vyer në tryezën e KS-së.
“Janë dy momente të rëndësishme të kësaj Presidence. Bëhet fjalë për një platformë bashkëpunimi, që garanton shpërndarjen e ndihmave humanitare kudo në botë, në kohë krizash. Aktiviteti tjetër shënjues i presidencës tonë i kushtohet agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës”, theksoi ndër të tjera Xhaçka.
Shefja e diplomacisë shqiptare vërejti se ideja e parë është pritur mjaft mirë dhe ka gjetur mbështetje nga aktorë e grupe interesi.
Ndërsa sa i takon luftës në Ukrainë, si bashkëpenëmbajtëse me SHBA-të, kjo është një nga çështjet që ka shënjuar mandatin tonë, tha ministrja e MEPJ-së.
Në përmbyllje, ajo u angazhua se diplomacia shqiptare do të organizojë një Debat të Hapur të nivelit të lartë në KS, e cila do të fokusohet në pasojat e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës.
Bilanci
“Shumë falënderime për gjithë botën, që e mirëpriti Shqipërinë dhe kandidaturën e saj”.
Ajo e martë e 4 janarit të vitit 2022, nuk kujtohet domosdoshmërish nga të gjitha, por me këto fjalë të thjeshta, ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, në mënyrë simbolike, do të vendoste flamurin me sfond të kuq dhe shqiponjë dykrenare të zezë, mes 14 vendeve të tjera të një organi brenda OKB-së (ndër më të lartët), i cili njihet si Këshilli i Sigurimit.
E gjithë kjo, për herë të parë, për një vend të vogël si Shqipëria, me një rezultat performues gjithsesi – në habinë e të gjithëve – tejet të lartë e të qëndrueshëm gjatë gjithë rrjedhës së ngjarjeve vjetore 2022, të cilat kanë qenë jo të pakta.
Në takime formale qofshin, apo konsultime të Këshillit, interesant kombëtare, Shqipëria i ka mbrojtur mbi 400 herë në këtë strukturë.
Mbi 30, kanë qenë rastet kur i është bashkuar konferencave për shtyp, me vendet e tjera të Këshillit, të cilat shfaqnin qëndrime të përafërta me Tiranën zyrtare mbi çështje të paqes dhe sigurisë, zhvillimit, të drejtave të njeriut, apo mbrojtjes së ligjit ndërkombëtar dhe llogaridhënies.
Në fakt, që prej ditës së parë kur Shqipëria ka qenë në këtë tryezë, është nuhatur veçantia e kontributit që do të jepte.
Ulësja e saj në tavolinën gjysmë të patkonjtë, do të ishte në të majtë të superfuqisë më të madhe botërore, SHBA-ve.
Një ngjarje e fortë globale, siç ishte fillimi i luftës në Ukrainë, e vuri Shqipërinë në lëvizje menjëherë brenda strukturës së Këshillit dhe së bashku me palën amerikane, ajo u bë bashkë-penë-mbajtëse e kauzës së popullit ukrainas, aty ku zëri i tyre nuk mund të shkonte – tek fuqitë e mëdha.
Përballja me një anëtare të përhershme siç është Federata ruse në KS, ishte e pashmangshme, por Tirana, shumë herë e tregoi se ishte diplomatikisht në lartësinë e duhur.
Në tërësi u zhvilluan 46 takime formale dhe joformale të strukturës, u morën tetë vendime dhe u dhanë tetë deklarata të përbashkëta për shtyp.
Një rekord i ri, u vendos nga vendi i vogël po ashtu sa i përket përfaqësimit të shoqërisë civile dhe agjendës së barazisë gjinore, me 19 përfaqësues të shoqërisë civile, ku shumica prej tyre ishin gra.
Gjatë 365 ditëve të para në detyrë, Shqipëria ka qenë pjesë e negociatave dhe vendimmarrjes duke miratuar 54 rezoluta, shtatë deklarata presidenciale dhe 56 deklarata për shtyp, mbi çështje që prekin paqen dhe sigurinë botërore.
Dosja e Kosovës, edhe pse ndonjëherë e pashprehur publikisht për natyrën që vetë Këshilli mbart, ka qenë në piketat kryesore të agjendës së lobimit shqiptar në gjysmën e parë të mandatit.