Nga Riadi, ku po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë ministerial dhe liderëve botërorë të sektorit të turizmit me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, ministrja Mirela Kumbaro u shpreh se ndihet krenare që Shqipëria falë flukseve turistike dhe promovimit ndërkombëtar, njihet globalisht si një destinacion në rritje dhe me një imazh pozitiv.
Ministrja Kumbaro konfirmoi se Shqipëria pranverën e ardhshme do të jetë organizatore e Konventës Ndërkombëtare të Turizmit “FESTA 2”, me pjesmarrjen e më shumë se 40 ministrave dhe përfaqësuesve të lartë të këtij sektori, event gjatë së cilit do të mbahet edhe takimi i Komisionit Europian i Organizatës Botërore të Turizmit, për herë të parë në vendin tonë.
“Shqipëria është në qendër jo vetëm për ne shqiptarët, por është një vend i vogël me një model pozitiv, siç po përpiqemi të gjithë bashkë, sektori privat dhe publik ta krijojmë. Të gjithë e mirëpritën ftesën për të qenë në Shqipëri, rreth 40 ministra të Turizmit në atë që do të quhet “FESTA 2”, por që është njëkohësisht dhe Komisioni Evropian i Organizatës Botërore të Turizmit që do të organizohet pranverën e ardhshme në Shqipëri. Shqipëria është duke performuar shumë mirë në turizëm, në radhë të parë falë shqiptarëve, falë sektorit privat, por edhe falë politikave që qeveria prej tashmë dhjetë vitesh po ndjek si në investime, ashtu edhe në nxitje të investimeve private krahas atyre publike”, shprehet ministrja Kumbaro në videomesazh.
Gjatë qëndrimit në Riad, në konferencën e organizuar nga Organizata Botërore e Turizmit (UNWTO), ministrja Kumbaro pati takime bilaterale me Sekretarin e Përgjithsëm të kësaj organizate, Zurab Pololikashvili, me Presidenten e Organizatës Botërore të Turizmit dhe Udhëtimeve, si dhe takime me ministrat e Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, të Izraelit, Haim Katz, Ministren e Turizmit të Kroacisë Nikolina Brnjac, Ministrin e Turizmit të Jordanisë Makram Mustafa Queisi dhe të Maltës, Clayton Bartolo.