Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar se do ta arrestojnë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç nëse futet pa leje në Kosovë. Në një intervistë për DPT, Sveçla tha se shtetasit e huaj nuk mund të futen pa leje në Kosovë.
“Për me leje, shkon te Kryeministri, për pa leje vjen te unë. Është çështje vendimmarrëse e Kryeministrit në qoftë se ka kërkesë, a i jep leje apo jo Vuçiçit. E, për pa leje, pastaj dihet cilat institucione merren me të. Nëse futet në Kosovë, pa asnjë dyshim. Si po mendoni ju që dikush, shtetas i huaj mund të futet në Republikën e Kosovës pa lejen e institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në një emision televiziv në Kosovë.
Sipas tij, është çështje vendimmarrëse e Kryeministrit në qoftë se ka kërkesë, a i jep leje apo jo Vuçiçit.
“Cilat janë pasojat? Pasoja është që thjesht nuk ke shtet nëse kreu i shtetit tjetër futet pa leje në territorin tënd”, mirëpo, ka deklaruar Sveçla, “unë nuk besoj që Vuçiç është aq i krisur që të vijë në Kosovë pa leje”, deklaroi ai.
Kjo deklaratë e Sveçlës, vjen pasi në Bruksel nuk u arrit një dakordësi për marrëveshjen Kosovë-Serbi, ndërsa Kurti ka akuzuar Lajçak se po mban anën e Serbisë.