U filmuan duke folur për blerje votash për zgjedhjet e 14 majit, SPAK dërgon për gjykim 2 persona. SPAK dërgon për gjykim për korrupsion në zgjedhje Kristo Agalliun dhe Agron Durajn pasi u filmuan teksa diskutonin shitjen e 4 votave për 15 mijë lekë.

‘Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.96 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 27.09.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:

1. Kristo Agalliu, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
2. Agron Duraj, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

Nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se, në datën 09 Maj 2023, i pandehuri Kristo Agalliu i ka ofruar shuma monetare të pandehurit Agron Duraj për të ndikuar në vullnetin e këtij të fundit, në mënyrë që të votojë një kandidat të caktuar në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar datën 14 Maj 2023.’- njofton SPAK.