Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ironizuar këshilltarët e Partisë së Lirisë, lidhur me dosjen e Ilir Metës si bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku u propozua emërtimi i një sheshi në Njësinë 2 me emrin Dom Shtjefën Kurti, ish i dënuar politik nga regjimi komunist, Veliaj tha se këshilltarët e PL-së [të cilët i ndërprenë disa herë fjalën] i zë paniku pasi e kanë kryetarin e tyre ish-sigurims.

“Sa herë që flas unë për këto të Sigurimit të Shtetit, ju që e keni kryetarin sigurims jeni të shqetësuar. Ai që spiunonte shokët është bërë kryetar i partisë së tyre dhe sa herë që flasim për sigurimin këta të Ilir Metës hidhen pupthi. Merreni me qetësi, me sportivitet. Të fala sigurimsit. I kam thënë Ilir Metës: Sigurimsat nuk kanë të ardhmen! Ju do shkoni nga humbja në humbje, si “gamori n’duhon”, tha Veliaj.