Vijon puna për urbanizimin e fshatrave në qytetin e Gramshit. Drejtuesi politik i qarkut Elbasan Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Besian Ajazi inspektuan punimet për rehabilitimin e plotë të Rrugës “Isuf Boja”.
“Më vjen mirë se këto janë gjëra që i kemi thënë publikisht dhe në fushatë zgjedhore, po nuk janë premtime për zgjedhje, janë angazhime të cilat bëhen realitet. Në fund të fundit kjo është fjala e mbajtur. Ky është vlerësimi që duhet të kenë njerëzit dhe këtë qasje duhet të kemi dhe në qeverisje. Pra ajo që thuhet bëhet realitet. Aq më tepër me fondet e bashkisë, tregon që taksat e qytetarëve shkojnë aty ku duhet edhe qytetarët mbeten të kënaqur. Më vjen mirë se edhe ky fshat me investime do të dalë më në pah”, tha ai.
Kryebashkiaku Besian Ajazi u shpreh se ky investim do të rrisë potencialin turistik të zonës.
“Ky është një investim totalisht me fondet e bashkisë së Gramshit që ka të bëjë me rehabilitimin e një fshati të madh afër qytetit, Cërunjës, me të gjithë komponentët që përfshin projekti që nga asfaltimi, ndriçimi, trotuaret, kanalizimet e ujërave të bardha e gjithçka tjetër që ka të bëjë me urbanizimin e këtij fshati të madh. Është në një gjatësi rreth 2000 metra. Është në vazhdën e fokusit të bashkisë për urbanizimin e fshatrave të mëdhenj afër qytetit. Por sigurisht duke mos lënë jashtë fokusit edhe sistemimin e rrugëve rurale për fshatrat e largët dhe ato të thellë. Sigurisht në vazhdim bashkia do të programojë në buxhetin e ardhshëm dy ose tre investime të tjera të fshatrave të mëdhenj që kanë mbetur ende pa u urbanizuar”, deklaroi Besian Ajazi.