“Vrapo, mami ka vdekur”. Ishte vajza e vogël e Klodiana Vefës, 35-vjeçares shqiptare që u vra me tre plumba pistolete në rrugë në Castelfiorentino, që i tha vëllait të saj që e ëma nuk jetonte më.
Ngjarja tragjike ndodhi pak para orës 20:00 të së enjtes, pak metra nga shtëpia ku jetonte me dy fëmijët, të moshës 14 dhe 17 vjeç, por jo më me bashkëshortin Alfredin, gjithashtu shqiptar, me të cilin po ndahej. Për këtë të fundit nuk ka ende asnjë gjurmë dhe është aktualisht në kërkim nga karabinierët. Ai rezulton i dyshuari kryesor i ngjarjes së rëndë dhe është shpallur në kërkim nga policia.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, duke cituar burime të karabinierëve, mes çiftit kishte pasur mosmarrëveshje të herë pas hershme, për shkak të xhelozisë së bashkëshortit. Megjithatë nuk rezulton që gruaja të kishte bërë denoncim.
Në Itali prej 17 vitesh, 35-vjeçarja punonte si kamariere në një restorant të zonës. Mbrëmjen e djeshme, Alfredi mësohet se kishte shkuar në shtëpinë e gruas dhe mes palëve kishte shpërthyer një zënkë. Më pas Klodiana kishte dalë nga shtëpia. Pikërisht në trotuar, pak metra më tutje u vra me 3 plumba pistolete, një prej të cilëve i mori jetën.
Ata që e gjetën trupin e pajetë të Klodianës në mes të rrugës ishin pikërisht fëmijët, që dolën bashkë me familjarë të tjerë të viktimës, pasi dëgjuan të shtënat. Përveç gëzhojave, në vendngjarje nuk është gjetur as arma e krimit, që besohet se vrasësi e mori me vete teksa u largua me makinë. Mësohet se autoritetet po analizojnë kamerat e sigurisë në zonë, me qëllim kapjen e tij.