Kosova sot është në ditë zie në nderim të policit Afrim Bunjaku i cili u vra të dielën e 24 shtatorit 2023 gjatë përleshjeve me një grup kriminal prej 30 personash të armatosur në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë të Zveçanit e banuar me shumicë serbe.

Flamujt e të gjithë institucioneve do të ulen në gjysmë shtizë, dhe do të kryhen nderimet e rastit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpalli ditën e sotme ditë zie.

“Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës së Kosovës.

Po sot në ora 16:00 do të mbahet edhe ceremonia e varrimit. Bunjaku do të prehet në varrezat e fshatit Samadrexhë,

Mbrëmjen e djeshme u ndezën qirinj dhe u kryen homazhe për policin 50 vjecar.

Ndërkohë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kryeministri Albin Kurti deklaroi se operacioni për kapjen e anëtarëve të grupit të armatosur që sulmuan policinë e Kosovës përgjatë gjithë ditës së djeshme do të vijojë.

Nga përleshja me grupin e armatosur të veshur me uniformë u plagosën dhe 3 policë. Ministri i Brendshëm deklaroi se nga shkëmbimi i zjarrit kishin mbetur të vrarë edhe 3 sulmues ndërsa 6 persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. 2 prej tyre të plagosur.

Kurti shtoi dje se Policia e Kosovës mbetet në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in dhe se gjatë operacionit ishin sekuestruar qindra armë e municione.

“Në operacionin e sotëm kundër terroristëve të armatosur, Policia e Kosovës, konfiskoi qindra armë dhe municione, duke përfshirë pajisje të rënda ushtarake, si mitralozë, granata e të tjera. Policia jonë mbetet në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in. Operacioni është në vazhdim” shkruajti Kurti në një postim në plaftormën “X”

Çfarë ndodhi të dielën e 24 shtatorit?

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit. Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur kishte zënë në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë. Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se tre sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi. Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.