“Sot Tirana është bërë epiqendra e vendimeve të jashtëzakonshme”. Kështu deklaroi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë në Top Neës, ku komentoi edhe ndarjen në disa pjesë të Partisë Demokratike. Ai theksoi se fokusi i tij dhe i Patisë Socialiste është për të bërë më shumë punë të mira për komunitetin.

Veliaj shtoi se PS e ka garën me veten për të ndërtuar një qytet dhe një vend që është shumë herë më i jetueshëm. “Mëkat bën ajo familje që krahasohet gjithmonë me një familje tjetër. Ti duhet të krahasohesh me veten tënde. Pra, nëse familja rritet, nëse familja zhvillohet, krahasuar me çfarë ishte më përpara, kjo familje po bën progres. Edhe familja jonë politike duhet të krahasohet me veten e saj. Për ne vlen si ta çojmë Tiranën më përpara. Unë sot jam i shqetësuar të kapim në afat hapjen e Piramidës, të kapim regjistrimet e fëmijëve, të kapim çmime më të ulëta, ndoshta vitin tjetër regjistrimin te TUMO ta bëjmë zero, që të kemi mundësi që çdo fëmijë që do të kodojë, që do të mësojë punët e së ardhmes, ta arrijë këtë. Dua të kap brenda këtij semestri edhe përfundimin e shkollave të fundit në periferi, në Vaqarr dhe në disa vende të tjera. Këto janë meraqet tona. Ndërsa, për sa i përket ish Partisë Demokratike, që ndahet në 7, 17, apo 70 parti, kjo s’ka pikë interesi publik. Ndaj, gara do të jetë me veten tonë dhe sesi ne ndërtojmë një qytet dhe një vend që është shumë herë më i jetueshëm”, tha ai.

Veliaj u shpreh se Tirana është i vetmi qytet që rritet çdo ditë, çka përkthehet edhe në një peshë dhe përgjegjësi më të madhe për mbarëvajtjen e punëve të vendit. “Sot Tirana është bërë epiqendra e vendimeve të jashtëzakonshme. Procesi i Berlinit do të mbahet për pak ditë, ky është meraku ynë. Ndaj, besoj fort se në 2025-ën kemi një ambicie më të lartë, Tirana me shumë gjasa do të ketë më shumë deputetë. Nuk di çfarë do të tregojë ekzaktësisht censusi, por një gjë është e sigurt, çka INSTAT-i tashmë e ka paradeklaruar, se Tirana është sot i vetmi qytet që po rritet. Kjo do të thotë se si i vetmi qytet që rritet, rritet edhe përgjegjësia, po rritet edhe vendimmarrja e qytetit për numrat në Parlament. Detyrën që kam e marr shumë, shumë seriozisht. Nuk i fërkoj duart kur shikoj sesi bëhet copë e çikë kundërshtari, por përkundrazi, them kjo është një arsye më shumë për të qenë vetë opozitë e zhvillimeve në Tiranë, për të qenë më kërkues për punët publike në qytet”, deklaroi Veliaj.