Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar fletën e votimit për zgjedhjet që do të mbahen në Kukës më 24 shtator. Po ashtu, KQZ ka miratuar edhe renditjen e kandidatëve, ku numrin një në fletën e votimit do e mbajë kandidati i PS, Albert Halilaj, ndërsa Emri Vata i ‘Bashkë Fitojmë’ do të ketë numrin dy.

Në fletën e votimit do vendoset emri i kandidatit si edhe logo e subjektit politik dhe koalicionit zgjedhor në rastin e Bashkë Fitojmë. Më 24 shtator qytetarët e Kukësit do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri, pas skandalit seksual të Safet Gjicit.

Edhe në këto zgjedhje, tentativa e Sali Berishës për t’u përfaqësuar me logon zyrtare të PD-së në zgjedhje dështoi sërish. KQZ nuk pranoi që ta regjistrojë Berishën me logon e PD, pasi këtë të drejtë e ka vetëm Lulzim Basha si kryetar i PD. KQZ regjistroi koalicionin “Bashkë Fitojmë” mes Partisë së Lirisë dhe Partisë Demokristiane, ndërkohë kandidati Vata ka dalë nga procesi i primareve të Rithemelimit.

Pavarësisht përpjekjeve, edhe në këto zgjedhje kandidati i Berishës, sikurse ndodhi më 14 maj do të strehohet nën logon e partisë së Ilir Metës dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Nga 14 maji, ndryshon vetëm aleati, këtë herë Meta e Berisha kanë zgjedhur jo Dulen por Nard Ndokën. Ndërkohë, PD e Bashës vendosi që mos të dalë me kandidat për të mos thelluar përçarjen.