Nga Mero Baze/
Protesta e sotme duket se dha një zgjidhje për mënyrën se si mund të zgjidhet çështja që edhe opozita të ndjehet në pushtet. Lehtësia me të cilën shumica në Parlament, lejoi Sali Berishën t’u “zinte karriget” e ministrave, ishte zgjidhja e duhur, se si mund ta bëjnë që Berisha të ndjehet në pushtet. Çdo javë të tretë të një muaji, shumica ta lejojë Berishën të ulet në karriget e ministrave, dhe kështu edhe ata ndjehen në pushtet 50 minuta në muaj.
Nuk është pak, po të llogarisësh që kanë dhjetë vjet që nuk janë ulur asnjëherë në ato karrige. Pastaj vendet mund t’i zgjedhin. Albana për lehtësi mund t’i zërë vendin Albanës së Mjekësisë, se dhe ashtu e ka pas ëndërr atë karrige. Flamuri po dihet ka karrigen e Taulant Ballës. Ina Zhupa nuk e di pse kërkonte doemos të Bora Muzhaqit, se në fakt mund të zërë dhe të Kumbaros. Gaz Bardhi sot e ka pas lehtë se Ulsiu është në Londër. Edhe Fatmir Mediu mund të zërë vendin e Niko Peleshit, edhe pse e ka akoma nëpër këmbë në gjyqe atë karrige.
Sidoqoftë shansin të ndjehen në pushtet e kanë të gjithë. Ndonjëri dhe mund ta ndërrojë ëndrrën e vet me ndonjë karrige që gjen bosh, se nuk u bë qameti. Në fund të fundit këto prova për pushtet janë. Problemi është se ky është një vetëposhtërim, që Edi Rama nuk ka fuqi t’ua bëjë vet dhe sikur të vrasë mendjen 24 orë. Atij i kërkohet të zgjedhë kë do kryetar të PD, Berishën apo Lulin. Ai me qejf Berishën ka, me thënë të drejtën, por këtu po i bien më qafë, se kryetarin ata kanë vendosur ta zgjedhin me gjykatë. Po ta kishin lënë që në fillim në dorë të Ramës, do ta kishin zgjidhur tani. Deri dje po e akuzonin Edi Ramën se po diktonte zhvillimet në opozitë dhe po përçan opozitën. Sot e akuzojnë se nuk ka bërë mirë që ka zgjedhur Lulin, por duhet të zgjidhte Berishën.
Tani ndaheni një herë mendjen, nëse kryetarin do ta zgjidhni vetë, apo Rama. Nëse bini dakord t’ua zgjedhë Rama, jepini një mandat atij, se dhe Kongresin ua bën më të mirë se tuajin, dekorin e qan, mund t’u sjell hua dhe të ftuar ndërkombëtar ënga ata shokët e vet të majtë e të djathtë nëpër Europe, dhe dukeni parti serioze. Protesta e sotme, dukej se e kishte kaluar këtë hap dhe bëhej kundër “përzgjedhjes” së kryetarit nga Rama. Pra gjithë ajo pakënaqësi dhe zënie karrigesh ishte se ai nuk paska zgjedhur Berishën, po Bashën.
Ndaj dhe simbolika e zënies së karrigeve, donte të thoshte se në ato karrige nuk mund të ulet Basha me të vetët, por këta të Doktorit. Nuk e kishin menduar keq. Cilësore ishte si gjetje, por këtë shans Edi Rama mund t’ua japë sa herë të doni. Dhe ashtu ai i ka bezdi ministrat e vet në sallë. Puna është se mos u duket vetja në pushtet për 50 minuta dhe mësoheni keq duke lënë Edi Ramën 50 vjet kryeministër.