562 nxënës të shkollës “Kolë Jakova” në Tiranë tashmë do të kenë në dispozicion 2 terrene të reja sportive për të zhvilluar orët e Edukimit Fizik, por edhe për të organizuar aktivitete të ndryshme sportive.

Rikonstruktimi i fushës sportive të lojërave me dorë dhe fushës së futbollit është mundësuar nga organizata World Vision Albania dhe Bashkia Tiranë, në kuadër të “Tirana Kryeqyteti Evropian i Sportit” dhe nismës #Sport4all të World Vision në Shqipëri.

Sot u bë edhe inaugurimi i tyre në praninë e zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, Z. Endrit Hoxha, zëvendëskryetarit të Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, drejtorit ekzekutiv të World Vision Albania, Eljona Elmazi, drejtoreshës së shkollës, Ledjana Harizi, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor, nxënës dhe mësues.

Gjatë aktivitetit, të rinjtë e grupeve IMPACT bashkëbiseduan me të pranishmit, ku i njohçn me nismat e tyre, ndërsa dhanë edhe mesazhe mbi rëndësinë e aktivitetit fizik, sportit, jetesës së shëndetshme, bashkëpunimit dhe përfshirjes.
Të rinjtë zhvilluan edhe aktivitete sportive me të ftuarit në futboll, basketboll, ping-pong dhe shah.

Sporti dhe aktivitetet sportive ndihmojnë për një shëndet më të mirë fizik e mendor dhe në të njejtën kohë shërbejnë edhe si një mënyrë për të pasur gjithëpërfshirje e për të dhënë mesazhe solidariteti mes fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve.