Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi pritet të dalin sot para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë lidhur me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’. Seanca është parashikuar të nisë në orën 13:30.
Gjykata nuk ka caktuar ende seancën për ish-kryeministrin Berisha, kjo për faktin se nga oficerët e policisë gjyqësore nuk ka mbërritur njoftimi se Berisha ka marrë dijeni për masën e sigurisë ndaj tij “Detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Ish-kryeministri nuk pranoi t’i takonte oficerët e policisë gjyqësore mbrëmjen e së shtunës, kur ata mbërritën në selinë e Rithemelimit dhe nuk ka pranuar të firmosë se është njoftuar për masën e sigurimit ndaj tij.
Lidhur me çështjen e kompleksit Partizani, SPAK arrestoi në Rinas, Jamarbër Malltezin, ndërsa Sali Berisha dhe Fatmir Bektashi janë ndaluar të udhëtojnë jashtë shtetit dhe detyrohen të paraqiten në policinë gjyqësore. Sipas SPAK, ish-kryeministri Sali Berisha ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me Jamarbër Malltezin, bashkëshortin e vajzës së tij, ndërsa ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktet nënligjore për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte drejtpërdrejt edhe dhëndri i tij. Sali Berisha kreu veprime aktive në kontrolle administrative për të ushtruar presion dhe dha urdhëra konkretë për përfundimin e procedurave të privatizimit në favor mes të tjerëve edhe të Malltezit, bashkëshorti i vajzës së tij. Po ashtu SPAK deklaroi se ish kryeministri Berisha kreu veprime aktive për të vendosur në dispozicion të Malltezit struktura të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri. Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milionë euro.
Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.