Artan Hoxha ka folur për gjyqin ndaj Fatmir Mediut për Gëdecin, ku pritet të ketë një numër të madh dëshmitarësh, mes tyre edhe djali i ish kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, ish ministri Aldo Bumçi, disa shtetas amerikanë dhe ish shefi i shtabit të përgjithshëm.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha tha se gjykata ka vendosur që dëshmitarët të japin dëshmitë e tyre çdo të enjte, për shkak të numrit të tyre të lartë, ndërkohë që tha se priten zhvillime interesante në muajt në vijim.
“Më në fund gjykata vendosi. Shkuan tre lista me emra dëshmitarësh. Familjarët e viktimave nuk u pranuan. 90 dëshmitarët e Mediut, nuk u pranua lista. U pranua lista e SPAK.
Aty është, ish ministri Aldo Bumçi, Shkëlzen Berisha, katër shtetas amerikanë, etj. Do të dëshmojë ish shefi i shtabit, që u dënua fillimisht, qëndroi në SHBA… Është kërkuar që ai të jetë dëshmitar. Është kërkuar dëshmia e Mihal Delijorgjit dhe e 19 personave. Do të kemi vjeshtë dhe dimër interesant përpara.
Gjykata ka vendosur që çdo ditë të enjtë ora 9:00 e mëngjesit do të jetë seanca, sepse janë shumë dëshmitarë. Është proces i hapur. Interesant është fakti që Shkëlzen Berisha shkon për herë të parë në gjykatë si dëshmitar.
Mbaj mend procesin e 14 shtatorit, që vajtën dëshmitarë që nga kryeministri e të gjithë. Shkëlzen Berisha dhe Aldo Bumçi janë për një çështje të përbashkët. Është proces që gjykohet për herë të parë në themel. Pashë familjarët që janë te lista e prokurorit”, tha ndër të tjera Hoxha.