Ministri i Brendshëm, Taulant Balla gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet Europiane u ndal tek një teme tjetër, e cila lidhet me sigurinë dhe veprimtarinë e Policisë së Shtetit.

Ai ishte i prerë kur paralajmëroi se cilido efektiv që ka pasur akses në rrjete komunikimi si “EncroChat” apo “Sky”, do të përjashtohet nga Policia e Shtetit.

Sipas Ballës, kjo është një vlerë etike, e cila do të çojë në pastrimin e strukturave të Policisë së Shtetit.

“Ka pasur dhe ka punonjës që janë përfshirë në botën e krimit. I kam kërkuar Policisë dhe AMP, duke qenë se jemi edhe vetë në kontakt me Europol, që të kemi informacion sa më shpejt të jetë e mundur, për çdo punonjës që do rezultojë që të ketë pasur akses në këto rrjete komunikimi EcroChat apo Sky do përjashtohet nga policia edhe në rast se në ato komunikime nuk rezulton të ketë aktivitet kriminal. Fakti që ka akses në rrjet të tillë, kjo është pjesë e angazhimit tim që lidhet me kodin etik në policinë e shtetit, ndalohet që një punonjës të ulet në kafe apo restorant me persona me background kriminal, kjo vlen edhe për takimet virtuale me krimin. Ky rregull do të zbatohet për të gjithë. SPAK po heton mbi bazën e të dhënave të vënë në dispozicion nga Europol dhe do kemi të dhëna konkrete”,- u shpreh Balla.