Pas një rimëkëmbjeje të fortë në vitin 2022, rritja ekonomike e Shqipërisë, parashikohet të ngadalësohet por të vijojë të mbetet mbi mesataren historike.

Kështu informoi sot Banka Botërore nëpërmjet raportit të rregullt rajonal “Drejt rritjes së Qëndrueshme”, në të cilin u vlerësua ecuria e përmirësuar e tregut të punës, me rritjen e punësimit dhe pjesëmarrjen në forcë pune.

BB analizoi ecurinë e çmimeve, ku evidenton se inflacioni në Shqipëri vijoi trendin rënës, por presionet inflacioniste nga kërkesa e brendshme mbeten të larta.
Gjithashtu thekson BB-ja, bilancet e jashtme pritet të përmirësohen si rezultat i zgjerimit të turizmit të huaj.

Sipas BB, në TM1 2023, PBB-ja u rrit me 2.7 për qind. Shërbimet, përfshirë tregtinë dhe aktivitetin e pasurive të paluajtshme, kontribuan me 2.5 pikë përqindjeje në rritjen tremujore të PBB-së, ndjekur nga sektorët e ndërtimit dhe prodhimit, ndërsa industria nxjerrëse dhe sektori i bujqësisë pësuan tkurrje.

Në anën e kërkesës, pas rritjes me 6.9 për qind në vitin 2022 konsumi privat ka vijuar të
jetë mbështetësi kryesor i rritjes ekonomike, ndërsa kontributi i konsumit publik ishte
negativ. Konsumi privat u rrit me 3 për qind në tremujorin e parë 2023 (vmv), duke u
mbështetur nga rritja e punësimit dhe e pagave, forcimi i besimit të konsumatorit, normat
relativisht të ulëta të interesit dhe kushtet favorizuese të kredisë, pavarësisht normalizimit
të politikës monetare.

Eksportet neto të mallrave dhe shërbimeve dhanë kontribut negativ në rritjen e PBB-së: rritja e konsumit mbështeti një rritje të kërkesës për importe në TM1 2023, e cila tejkaloi rritjen e eksporteve.

Treguesit kryesorë ekonomikë sugjerojnë se rritja e PBB-së u përshpejtua gjatë T2 dhe T3
2023, e mbështetur nga zgjerimi i aktivitetit të ndërtimit dhe rritja e numrit të turistëve që
shënoi një rekord të lartë historik në muajin korrik. Rritja e të ardhurave nga punësimi,
rritja e kredisë, treguesit e besimit të biznesit dhe konsumatorit, si dhe të ardhurat e larta
tatimore tregojnë për një rritje të kontributit të konsumit, investimeve dhe eksporteve në
rritjen ekonomike neto në tremujorin e dytë dhe të tretë.

Punësimi gjithashtu u rrit me 2.7 për qind në terma vjetorë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023. Rritja e pagave nominale dhe punësimi nxitën pjesëmarrjen në forcën e punës (mosha 15+), e cila vazhdoi të rritet në përputhje me tendencat e viteve të mëparshme, duke arritur në 63.9 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2023—niveli më i lartë që nga viti 2019.

Rritja mesatare e pagave të sektorit privat arriti në 9.5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me 14.2 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2022, e nxitur kryesisht nga rritja e pagave në sektorët e tregtisë, transportit, akomodimit dhe administratën publike.

Në terma realë, pagat u rritën me 3 për qind krahasuar me 6,3 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2022. Papunësia arriti në 10,9 për qind në tremujorin e parë të vitit 2023, me një rritje të lehtë në krahasim me fundin e vitit 2022.

Ndërkohë inflacioni vijon të mbetet mbi objektivin e bankës qendrore, megjithëse në nivele shumë më të ulëta se niveli më i lartë historik i shënuar në vitin 2022.

Norma vjetore e inflacionit ra në 4.0 për qind në gusht 2023 krahasuar me nivelin më të lartë historik prej 8.3 për qind në tetor 2022, si rezultat i presioneve rënëse nga çmimet më të ulëta të importit, mbiçmimi i monedhës vendase dhe normalizimi i politikës monetare.

Trendi i mbiçmimit të kursit të këmbimit, që ka ardhur duke u përshpejtuar që prej vitit 2021, ka vijuar dhe në vitin 2023 duke arritur në 12.1 për qind në korrik 2023. Ky trend reflekton reduktimin gradual të deficitit të llogarisë korrente (CAD) dhe një përmirësim të bilanceve të jashtme si rezultat i rritjes së eksporteve të shërbimeve.

Në sektorin financiar, pavarësisht rritjes së normave bazë të interesit, kreditimi për sektorin privat vazhdoi të mbështesë zgjerimin e kërkesës. Rritja e kredisë për sektorin privat arriti në 1.6 për qind në qershor 2023 (vmv), depozitat bankare vazhduan të rriten me 9.5 për qind, ku kursimet e individëve janë kontribuesit më të mëdhenj në rritjen e totalit të depozitave në sistemin bankar.

Pozicioni fiskal i qeverisë u përmirësua në gjysmën e parë të vitit 2023. Qeveria shënoi
një suficit të lartë si rezultat i rritjes së fortë të të ardhurave dhe shpenzimeve më të ulëta.
Të ardhurat nga grantet dhanë kontributin më të lartë në rritjen e totalit të të ardhurave
(14.5 për qind në terma vjetorë, për shkak të disbursimeve të BE-së), të ndjekura nga
të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe të ardhurat nga tatimi mbi të
ardhurat personale, duke reflektuar rritjen e pagës minimale të detyrueshme. Rritja e
shpenzimeve ishte relativisht e vogël me 3.4 për qind (në terma vjetorë), por ritmi i rritjes pritet të përshpejtohet gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2023 për shkak të rritjes së shpenzimeve kapitale.

BB thekson se, si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, si recesioni në Europë dhe shtrëngimi i mëtejshëm i kushteve të financimit në tregjet ndërkombëtare në vitet në vijim. Ndërsa si rreziqe të brendshme potenciale konsiderohen fatkeqësitë natyrore, partneritetet publike-private dhe ndërmarrjet shtetërore, si dhe rreziqet fiskale që rrjedhin nga një sektor energjetik i bazuar në hidrocentrale, të cilat varen kryesisht nga ndryshimet në kushtet hidrologjike.

Në kontekstin e shtrëngimit të kushteve financiare në tregjet ndërkombëtare dhe rritjes së kufizuar ekonomike në Europë, rritja e PBB-së pritet të ngadalësohet në 3.6 për qind në vitin 2023. Megjithatë, rritja e sektorëve të turizmit dhe ndërtimit pritet të nxisë eksportet, konsumin dhe rritjen e investimeve me ritme të ngjashme me periudhën para pandemisë, referoi BB, në pjesën për Shqipërinë. Kontributi i përgjithshëm i investimeve në rritjen ekonomike pritet të ngadalësohet, për shkak të efektit të bazës shumë të lartë krahasuese dhe përfundimit të programeve për rindërtimin pas tërmetit.

Norma e inflacionit parashikohet të fillojë të kthehet në objektivin prej 3 për qind në vitin 2024. Bilanci primar pritet të arrijë në 0.1 për qind të PBB-së në vitin 2023 dhe të qëndrojë pozitiv në përputhje me rregullin fiskal. Në anën e shpenzimeve pritet konsolidim fiskal. Për të ardhurat, qeveria planifikon të prezantojë masa të mëtejshme të politikës tatimore, siç parashikohet në Strategjinë Afatmesme për të Ardhurat.