Komisioni i ekonomisë miratoi ndryshimet në buxhet, ku 46 miliard lekë janë rishpërndarë, por në këtë vendim nuk parashikohet një bonus shtesë për pensionistët, sikundër ishte parashikuar në fillim të vitit. Parashikimi lidhet me pagesat shtesë që do të merrte qeveria nga fitime e rritura të kompanive të energjisë elektrike. Ministri i Financave, Ervin Mete, i pyetur nga opozita lidhur me këtë fond, konfirmoi se do të ketë një bonus vetëm në fund të vitit. Fondi ishte 8.3 mld lekë, një pjesë e tij është ndarë me këstin që morën pensionistët. Ajo që mund t’ju them është se në fund të vitit do të kenë bonusin e radhës. Ndërkohë indeksimi i pensioneve ka kapur një faturë që rëndon në shifrën prej afro 20mld lekë në vite, – u shpreh Mete.
Paratë shtesë të mbledhura nga qeveria vijnë për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve, të cilat edhe këtë vit kanë qenë ndër kërcënimet kryesore të jetesës për familjet. Por pjesën më të madhe të parave të mbledhura qeveria po i kalon për të financuar rindërtimin, një proces i cili jo vetëm është kompleks, por po shtrihet shumë në kohë dhe nuk ka përfunduar edhe pse kanë kaluar 4 vite.
1- E kemi parashikuar edhe në buxhetin e 2024 që të bëjmë rialokime të vazhdueshme drejt rindërtimit, në mënyrë që të mos ketë ngecje të këtij procesi, – tha ministri Mete.
2- Fondet e parashikuara si dhe procedurat e ndjekura të prokurimeve, mungesa e transparencës po bën që ky proces t’i lërë për të paktën tre vitet e ardhshme detyrime të prapambetura buxhetit. Fakti që dhe sot vijoni jepni ende para tregon se ky proces është menaxhuar keq, -tha Jorida Tabaku në komisioni e ekonomisë.
Sipas të dhënave nga ministria, deri më tani janë shpenzuar për rindërtimin 890 milion euro.