Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka vizituar qytetin port të goditur ukrainas të Odesës në Detin e Zi, ku pa nga afër dëmet e shkaktuara nga sulmet ruse.

Lagjja e vjetër e Odesës dhe Katedralja historike Ortodokse e Shndërrimit pranë portit u dëmtuan rëndë nga një bombardim rus në korrik.

Infrastruktura portuale që është kyçe për eksportet e grurit të Ukrainës është goditur gjithashtu kohët e fundit.

Ndërsa vizitoi vendin e katedrales, Borrell e quajti sulmin rus në qytet “barbar”.

“Ky është një shembull i mirë se si Rusia po përpiqet të shkatërrojë Ukrainën”, tha Borrell.

Ai premtoi se Evropa nuk do ta braktisë Ukrainën në luftën e saj të ashpër për të rimarrë zonat, duke thënë se nevojitet mbështetje e mëtejshme ushtarake, ekonomike, politike dhe diplomatike.

Borrell kritikoi sërish presidentin Vladimir Putin për pezullimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga OKB-ja që lejoi eksportet e grurit ukrainas përtej Detit të Zi, pavarësisht bllokimit të porteve nga Rusia.

Marrëveshja shihet si thelbësore për adresimin e pasigurisë globale të ushqimit dhe frenimin e çmimeve të grurit.

Borrell vuri në dukje se Ukraina dikur kishte qenë furnizuesja më e madhe e grurit në Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së.

Udhëtimi i Borrell nuk u njoftua paraprakisht për arsye sigurie. Nuk u dhanë detaje se çfarë tjetër ishte në axhendën e tij.

Pothuajse dy javë më parë, diplomati spanjoll tha se së shpejti do të organizohej një takim të ministrave të jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së në Kiev.

Tema e takimit të planifikuar të BE-së, ishte propozimi i Borrell për të marrë angazhime financiare afatgjata për Ukrainën duke ofruar ndihmë ushtarake dhe mbështetur gjithashtu dërgimin e avionëve luftarakë dhe raketave moderne me fondet e BE-së.