Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Mit’hat Havari, ishte këtë të shtunë i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, me gazetaren Nisida Tufa. Ai mban mbi supe një të shkuar të mbushur plot ngjarje dhe histori të jashtëzakonshme, të cilat ka menduar që t’i rrëfejë në një libër të titulluar “Mes dy epokash”.
Në studion e News24, ai rrëfeu disa nga ekstraktet e këtyre ngjarjeve, që i ka pasqyruar në këtë libër. Havari, në këtë libër ka përmendur historinë e dashurisë dhe jetën me bashkëshorten e tij, teksa tha se arsyeja se përse e ka përfshirë në këto rrëfime, është fakti se ajo i ka qëndruar afër në momentet e tij më të vështira.
“Historia ime si shumë histori dashurie të sinqerta, është e bukur. Unë kisha kaluar një situatë të vështirë dhe isha në ajër. Vajza shkonte në vit të katërt, kishte parë diçka tek unë dhe e kishte pikasur. Ia dolëm, sot jemi bashkë, 41 vite. Kam qenë shumë i kujdesshëm ndaj saj, dhe nëse e përmend në libër, e përmend sepse më ka qëndruar pranë në kohë në vështira”, u shpreh ai.
Por si e kujton Havari momentin e arrestimit pas demonstratës antikomuniste të Elbasanit në dhjetor të vitit 1990?
“Isha i ndërgjegjshëm për atë që bëja… atë natë shkova në shtëpi, ime shoqe kishte marrë informacion. Unë isha protagonist në atë demonstratë të madhe. Një miku im i ndjerë i tha të vëllait t’i thoshte Irakli Koçollarit, zyrtar i lartë në Tiranë, të bënte diçka për mua, ai tha se unë isha kryesori në këtë demonstratë. Në 14 dhjetor, në mbrëmje, më tha miku im je i pari në listë, të këshilloj të largohesh. I thash se nuk kam pse të largohesha. Dosja ime zyrtarisht fillon në maj të ’82 dhe përfundon me arrestimin tim. Në 12 të natës trokiti dera, tentova për t’i shpëtuar, e kuptova që do bëhesha kavje për ta sepse ishin shumë të dhunshëm… britmat e rinisë shqiptare atë natë kanë çarë qiejt, me klithma, me ulërima! Ky ka qenë realiteti”, tregon ai.
Por historia e tij ngjan me atë të filmave, pasi si për ironi, pas lirimit nga burgu, disa kohë më vonë, ai u emërua Kryetar i Degës së Brendshme në Elbasan. Tashmë do ishte drejtor i atyre që e arrestuan dhe torturuan.
“Kjo është pjesa më e bukur që mund t’i ndodhë njeriut. Sa u ktheva nga Greqia, më ofruan detyrën e drejtorit të Rendit. Kur njeriu ka vullnet, ideale, s’ka gjë që nuk realizohet. Shkova me plot siguri dhe gjëja e parë që ju thashë ishte: s’kam ardh për hakmarrje. Dhe vërtetë nuk hoqa asnjë nga puna. Unë punova me ta. Pra ky është morali, nga i arrestuari i tyre, tani isha drejtori i tyre”, tregon ai.