Shqipëria vlerësohet me 74.3 pikë nga 100 në total dhe është një nga tre vendet me progresin më të lartë në 12 vitet e fundit.
Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhqi, mori pjesë në eventin e lançimit të Indeksit të Progresit Rinor përgatitur nga Forumi Rinor Evropian me qëllim evidentimin e ecurisë së zhvillimit të rinisë në më shumë se 150 shtete.
Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Muzhaqi zgjodhi ta fillonte me vlerësimet pozitive për Shqipërinë, të siguruar këto nga Forumi Rinor Evropian.
“Krenare për Shqipërinë për ecurinë në fushën e rinisë të paraqitur nga Indeksi i Progresit Rinor 2023 përgatitur nga European Youth Forum:
– Shqipëria u vlerësua me 74.3 pikë nga 100 në total.
– Shqipëria është një nga 3 vendet me progresin më të lartë në botë në 12 vitet e fundit.
– Shqipëria që prej vitit 2011, është ngjitur me 8 pozicione në rankimin botëror për 150+ shtete. “ u shpreh ministrja Muzhaqi, duke vijuar “ Krenare që në një kohë ku progresi në fushën e rinisë është i ngrirë edhe në vende më të zhvilluara, Shqipëria vlerësohet pozitivisht për fuqizimin e të rinjve, ofrimin e shërbimeve me standarde të larta dhe mundësive që krijojmë ditë pas dite për të rinjtë në përputhje me kërkesat e tyre dhe tregun e punës.” Ndër të tjera, veç lajmeve pozitive nga Forumi Rinor i Evropës për ne, Ministrja Muzhaqi prezantoi gjithashtu punën e bërë gjatë 2 viteve si ministre duke theksuar se është e lumtur që progresi përkon me faktin që Shqipëria ka një ministre përgjegjëse për rininë, dhe se Indeksi i Progresit Rinor është thelbësor në vlerësimin e politikave.
“Kur shikoj punën e Forumit Rinor Evropian, një nga produktet e mia të preferuara që keni është në fakt Indeksi i Progresit Rinor. Si ministre kam menduar se kjo do të ishte mënyra më e mirë për të matur suksesin tone dhe për ndikimin e të gjithë politikave tona. Do të shihni që një nga treguesit tanë kyç është Strategjia Kombëtare e Rinisë. Në fakt, ne po përdorim Progresin e Indeksit Rinor, për t’u siguruar që masim përgjegjshmërinë tonë si politikëbërës.” tha ministrja Muzhaqi.
Në raportin e Indeksit të Progresit Rinor evidentohet se teksa progresi i rinisë në Evropë ka ngrirë, Shqipëria është ka arritur progresin më të lartë në 12 vitet e fundit, që prej 2011 ku renditej e 68 nga mbi 150 shtete.
“Ndërsa po lexoja raportin, thoshte se ndër progresin e ngrirë për të rinjtë në Evropë, Shqipëria është një nga vendet me përmirësimin më të rëndësishëm në 12 vitet e fundit. Kur mora ftesën, mezi prisja të shihja se cila ishte renditja dhe me pak kërkime si një ekonomiste me profesion, sigurisht, hyra në detaje, në numra dhe hulumtova gjithçka. Në vitin 2011, Shqipëria u rendit e 68-ta dhe përsëri, ky ishte një numër relativ, sepse varet nga vendet e tjera. Pjesa që nuk ishte relative ishte numri i pikëve që grumbulluam në 2011, 67.47 pikë. Ndërkohë, këtë vit kuptova u renditëm në vendin e 60-të nga më shumë se 150 shtete me 74.3 pikë. Ne jemi ngjitur me tetë vende dhe në fakt kemi fituar shtatë pikë, gjë që është mjaft mbresëlënëse, dhe të jem e sinqertë, është një moment që ne të ulemi dhe të kuptojmë se çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë mund të bëjmë akoma më mirë.” u shpreh ministrja përgjegjëse për rininë teksa vijoi me duke evidentuar nismën kryesore kur mori detyrën si ministre.
“Dhe së fundi, dua të ndaj edhe pak nga përvoja ime. Si Ministre e Rinisë në Shqipëri, prej dy vitesh, kemi bërë shumë shumë programe që kanë në fokus përmirësimin e aftësive të të rinjve dhe kalimin nga fëmijëria në moshën madhore, sepse ky është një tranzicion që përfshin arsimin, punësimin, e plot shumë mundësi të tjera në jetë. Dhe për të folur për këtë, gjëja interesante që unë e ndaj gjithmonë është se strategjinë tonë për të rinjtë nuk e kemi shkruar ne, por vetë të rinjtë. Kemi shkuar në çdo bashki të Shqipërisë, kemi takuar 1200 të rinj dhe 50 organizata të shoqërisë civile që merren me të rinjtë, duke i pyetur se çfarë është e rëndësishme për ta, cilat janë çështjet dhe sfidat me të cilat përballen, dhe vetëm pasi morëm përgjigje, i përkthyem në masa konkrete politikash që do të zbatonim. Kjo ishte pjesa që na ndihmoi vërtet për të kuptuar çështjet dhe sfidat reale me të cilat përballen të rinjtë.” u shpreh Ministrja Muzhaqi.
Disa nisma të tjera që vuri në dukje gjatë fjalës së saj, lidhen me financimin e aktiviteteve rinore, fuqizimin e zërit të të rinjve dhe mirëqenien e tyre. “Kur mora pozicionin tim si ministre, kishim 8 Këshilla Vendorë Rinor, që këshillojnë kryetarët e bashkive për politikëbërjen nga 61 bashki në total. Aktualisht kemi 59 Këshilla Vendorë Rinorë, efektivë dhe efikasë, të përfshirë në politikëbërje dhe politika lokale. E ndër të tjera, jemi në proces për të ngritur dy të fundit. Këshillat Vendorë Rinorë raportojnë pranë Këshillit Kombëtar Rinor, i cili vepron si një organ këshillimor për ministrin e Rinisë, që kërkesat e të rinjve të përcillen pranë Këshillit të Ministrave.”
Përsa i përket financimit të projekte rinore dhe aktiviteteve të ndryshme për fuqizimin e të rinjve ministrja Muzhaqi shtoi “Një tjetër nismë e jona është rritja e transparencës dhe efikasitetit të Agjencisë Kombëtare të Rinisë. E di që ndonjëherë kur flasim për vende si Shqipëria apo ndoshta Ballkani Perëndimor në përgjithësi, është e vështirë të kuptojmë se metodologjia dhe mënyra jonë e të menduarit është paksa e ndryshme nga BE-ja, prandaj, kemi huazuar metodologjinë që përdor OKB-ja dhe BE-ja për grante dhe e aplikuam në Agjencinë Kombëtare të Rinisë.” tha Muzhaqi teksa evidentoi dhe dy nga programet për mirëqenien e të rinjve “Dhe së fundmi, ka një program tjetër që dua të ndaj me ju. Që nga janari 2023, kemi vënë në zbatim Programin Jashtë Orarit Mësimor në Shqipëri që ka përfshirë rreth 10,000 të rinj që janë regjistruar falas në art, artizanat, teknologji, mjedis, bujqësi dhe fuqizim përmes vetëmbrojtjes. Këto kurse u ofrohen atyre falas nga qeveria për të siguruar një gjithëpërfshirje më të mirë për të rinjtë, përfshirë dhe grupet vulnerabël, duke u krijuar mundësi të përqendrohen në zhvillimin e talenteve të tyre. Në fakt kemi shkuar më tej dhe kemi zhvilluar edhe Programin Ekipet Sportive në Shkolla, ku sërish janë përfshirë rreth 10 mijë të rinj, që luajnë basketball dhe volejboll tre herë në javë. Ata janë të përfshirë edhe në kampionate, gjë që u lejon atyre jo vetëm të zhvillojnë talentin e tyre, por edhe të qëndrojnë larg zakoneve të këqija.” u shpreh ministrja Muzhaqi duke theksuar se këto janë vetëm një pjesë e nismave dhe iniciativave të ndërmarra me qëllim fuqizimin e të rinjve, aktiviit rinor dhe mirëqenies së tyre.