Shqipëria pritet të hënën të kthehet në kryeqytetin e Europës. Ora 11:00 do t’i gjejë udhëheqësit e shteteve të BE dhe ata të rajonit të mbledhur nën ombrellën e Procesit të Berlinit, themeluar nga ish-kancelarja Angela Merkel dhe tanimë po çohet përpara prej pasardhësit të saj kancelarit Scholz. Ky samit do të vijë në edicionet e lajmeve të Top Channel me të gjithë dimesionin e tij. Gazetari politikës në Top Channel, Muhamed Veliu analizon elementët kyç të këtij samiti.

Sipas tij, dy janë elementët kryesorë për t’u analizuar në Forumin e Udhëheqësve të Procesit të Berlinit. Një prej shtyllave të Procesit të Berlinit themeluar në vitin 2014 është fqinjësia e mirë në rajon. E në këtë kontekst situata e tensionuar pas 24 Shtatorit në Veri të Kosovës është një temë për t’u diskutuar aq më tepër që në Tiranë nesër do të jenë dy arkitektët e planit Franko-Gjerman.

Presidenti Macron dhe Kancelari Scholz.

Nuk përjashtohet mundësia e një ndërmjetësimi prej tyre të një takimi mes Macron-Scholz me Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç.

Dhe nëse kjo do të ndodhë, atëherë kjo do të jetë hera e parë e takimit mes tyre pas tentativës të një grupi terrorist për një aneksim të Veriut të Kosovës.

Aspekti i dytë dhe më i rëndësishmi, ai me karakter ekonomik.

Në 31 Maj 2023 nga forumi, GLOBSEC në Bratislavë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi se BE është duke punuar për “New Plan Growth” ( Planin e ritjes) për vendet e rajonit por nuk dha shifra se ku konsiston ky plan në terma financiar.

Një burim diplomatik në Komisionin Europian tha për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu se “me gjasë nga Samiti Procesit të Berlinit, presidentja Ursula von der Leyen do të flasë me terma konkrekt për të ashtuquajturin “Plan i Rritjes”.

Bëhet fjalë për një paketë prej 28 miliardë euro:

– 2 miliardë për Planin e Rritjes

– 26 miliardë përmes fondeve IPA.

Kjo paketë do të jetë komplementare krahas asaj të deritanishme me 30 miliardë euro nga “Plani Ekonomik dhe i Investimeve” lancuar në 2020, nga i cili deri me tani janë investuar në projekte të ndryshme 16 miliardë.